Xhihani shënon dhe golin e shtatë
Parid Xhihani godet sërish në shenjë. Një tjetër gol në kampionatin ukrainas mban firmën e tij. Bëhet fjalë pikërisht për takimin e djeshëm, ku skuadra e shqiptarit, Zorya, do të fitonte me rezultatin 2-1 Ilitccivets Mariupol. Ishin miqtë ata që kishin kaluar të parët në avantazh me anë të Yaroshenkos në minutën e 18-të. Por një karton i kuq në dëm të Severinos, i ka lënë në inferioritet numerik miqtë, të cilët e kanë pasur të vështirë më pas ta ruajnë avantazhin. Zorya do të reagonte, duke barazuar me anë të golit të Gjuliusit në minutën e 34-t. Për golin e fitores 2-1 të tyre do të mendonte kavajasi Xhihani në minutën e 68-të. Për sulmuesin shqiptar ky ishte goli i shtatë sezonal dhe pas 14 ndeshjeve është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Ky gol ka vlejtur edhe si një përshëndetje për festën që i ka bërë trajneri Ari Han.