E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volfarth: Është koha për të gjetur kandidatin për President

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, tha dje se forcat politike duhet të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të gjetur një kandidat të përshtatshëm për President. Lidhur me reformën zgjedhore ai i bëri thirrje Komisionit të posaçëm Parlamentar që të mbyllë brenda këtij muaji punën në mënyrë që Parlamenti të miratojë Kodin brenda një periudhe të shkurtër.
Cili është mendimi juaj në lidhje me reformën zgjedhore, për atë çfarë partitë politike po bëjnë dhe për hapat që duhet të ndërmerren? Jeni i kënaqur me atë çfarë është bërë deri tani?
Hapa të rëndësishëm janë marrë, por ka mbetur ende edhe shumë punë për të bërë. Koha deri në fund të muajit nuk është shumë e gjatë. Fundi i prillit është vetëm disa ditë larg. Është e rëndësishme të përdoret sa më mirë kjo kohë për të arritur rezultate bazuar mbi këtë klimë konstruktive, për ta ruajtur këtë klimë e për ta përdorur atë sa më mirë për të hartuar një projekt-propozim të mirë për Kodin e ri Zgjedhor.
Cili është mendimi juaj në lidhje me Gjykatën Administrative, për faktin që nuk është arritur ende konsensus? Është menduar të krijohet një kolegj civil nga Gjykata e Lartë, por ende nuk është arritur një marrëveshje. Çfarë mendoni se i pengon partitë politike të arrijnë një konsensus në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme?
Përpara se të miratohet një ligj kaq i rëndësishëm, pa dyshim, duhen zhvilluar diskutimet e duhura. Do të dëshiroja shumë që konsensusi të arrihej në të ardhmen e afërt, sepse kjo është shumë e rëndësishme për investimet në Shqipëri dhe për zhvillimin ekonomik të saj. Vendet e punës janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë.
Sa efikas është numërimi elektronik?
Mund të jetë efikas, por kjo varet nga sistemi i përzgjedhur. Çështja më e rëndësishme është të ketë besim midis njerëzve, midis operatorëve, dhe kjo është diçka që nuk mund të zëvendësohet. Besimi mes njerëzve është element thelbësor në ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Mendoni se do të ketë konsensus në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, apo mendoni se nuk ka problem nëse është maxhoranca që vendos, siç e lejon edhe legjislacioni aktual? Kushtetuta aktuale vërtet e lejon këtë, por është shumë e rëndësishme që të përdoret sa më mirë koha e mbetur për të gjetur një kandidat apo disa kandidatë të përshtatshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›