E Shtunë, 31 Tetor 2026

Volonte: Greva e opozitës, në kundërshtim me kërkesat e KiE

Presidenti i grupit parlamentar të Partive Popullore në Këshillin e Europës, takime me Berishën e Topallin

Veprimet e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, janë në kundërshtim me ato që ka kërkuar Këshilli i Europës. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje në Tiranë presidenti i grupit parlamentar të Partive Popullore në Këshillin e Europës, Luka Volonte, gjatë takimeve me krerët më lartë të mazhorancës, si Kryeministrin Berisha dhe Kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjatë takimit me kreun e qeverisë, Volonte rikonfirmoi qëndrimin e PPE, si dhe deklaratat e KiE-së për situatën politike në Shqipëri. Në lidhje me transparencën që kërkohet nga opozita për procesin e shkuar zgjedhor, ai theksoi se ajo duhet të bëhet e bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e gjykatave. Po kështu, Volonte theksoi se PPE dhe grupi i tyre parlamentar në KiE mbështesin qëndrimin e qeverisë shqiptare në lidhje me situatën politike, në mbrojtje të forcimit të shtetit ligjor dhe parimeve të KiE-s. Gjatë takimit me Kryeparlamentaren Topalli, Parlamentari i KiE-së theksoi në mënyrë të qartë se veprimet e opozitës dhe të kryetarit të saj janë tërësisht kontradiktore në lidhje me atë çfarë kërkojnë ndërkombëtarët për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. “Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kontradiktore me çka i ka kërkuar KiE. Asambleja parlamentare ka thënë që debati bëhet në Parlament dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë”, theksoi presidenti i PPE-së në KiE. Madje, sipas tij, në mënyrë qesharake vetë Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partive opozitare nuk janë përfshirë në këtë grevë urie, duke lënë aty vetëm deputetët e thjeshtë të partisë. “Kjo mënyrë sjelljeje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare”, konkludoi Luka Volonte. Po kështu, ai i konsideroi si të papërshtatshme edhe veprimet që po ndërmerr opozita për të bllokuar qarkullimin rrugor në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Sipas përfaqësuesit të PPE-së, Këshilli i Europës ka sugjeruar se në lidhje me kërkesat e saj opozita mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Volonte theksoi se nëse përfaqësuesit e saj nuk e marrin parasysh këtë sugjerim, atëherë kjo parti nuk ka vëmendjen e Këshillit të Europës. Sipas tij, nëse PS nuk zbaton rekomandimet e KiE-s, atëherë përpara këtij institucioni drejtuesit e opozitës nuk mund të justifikohen më. Po kështu, drejtuesi i PPE-ve në Strasburg theksoi se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt integrimit në BE.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›