Vondra: Njohja e pavarësisë, stabilitet për rajonin
Pragë - Zv/kryeministri çek për çështje evropiane, Aleksandar Vondra, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës i kontribuon stabilizimit të rajonit. "Konsiderojmë se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe përfshirja e saj në procesin e integrimeve evropiane do t'i kontribuojë stabilizimit të tërë rajonit", ka theksuar Vondra për mediat e Beogradit. Ndërkaq, duke folur për takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, në të cilin fati i Ballkanit Perëndimor ishte një nga temat kryesore, Vondra tha se "kjo mbledhja ka konfirmuar përcaktimin e BE-së që të mbajë rrjedhën e integrimeve evropiane të Ballkanit Perëndimor". Sipas fjalëve të tij, ministrat janë dakorduar për hapat e ardhshëm në lidhje me një numër çështjesh specifike, siç është procesi i zgjerimit, liberalizimi i vizave dhe bashkëpunimi ekonomik.