Bosch: Duhet të aplikoni për kartat e identitetit
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Kukës, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ka takuar përfaqësues të pushtetit dhe institucioneve të tjera, ku është diskutuar për mbarëvajtjen e pajisjes me karta identiteti dhe përgatitjet për procesin zgjedhor. Në një takim me median, ai është fokusuar kryesisht te situata parazgjedhore. "Ndodhemi në pragun e një fushate për zgjedhje të rëndësishme parlamentare dhe vërej një angazhim të strukturave vendore për të përmbushur infrastrukturën zgjedhore. Në mënyrë të veçantë mund të them që procesi i aplikimit të shtetasve për karta identiteti po ecën mjaft mirë. Shfrytëzoj rastin t‘u bëj thirrje personave që nuk kanë pasaportë dhe që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë aplikimin sa më parë, sepse kartat e identitetit nuk janë vetëm për çështjen e votimeve, madje është një keqkuptim në disa raste kur vlera e kartave fokusohet vetëm te zgjedhjet. Kartat u duhen njerëzve për gjithmonë dhe gjithkund si dokument identifikimi", deklaroi ambasadori. Sakaq, ai u ka kujtuar edhe një herë strukturave përgjegjëse se çmimi i kuponit është 200 lekë, sipas vendimit të qeverisë. Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Bosch tha se qeveria dhe organizmat ndërkombëtare duan që të ketë një proces të lirë dhe të ndershëm. "Ne jemi të angazhuar të nxisim përfshirjen e grave në vendimmarrje, për plotësimin e numrit prej 30% në bazë të ligjit, nga ana tjetër kërkoj që edhe gratë të jenë më aktive dhe të rrisin rolin e tyre. Listat e kandidaturave të forcave politike nuk janë hartuar akoma, por le të shpresojmë që të përmbushet ky 30%-sh", ka thënë Bosch.