E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesa me listat. KZAZ-te kane pengesa ne publikim

Ndonëse janë shpallur që të shtunën, listat përfundimtare të zgjedhësve kanë nisur të bëhen  të disponueshme për votuesit vetëm të hënën. Kjo pasi afishimi i tyre nga KZAZ-të po bëhet me vonesë. “Nga pushteti lokal, nga 384 njësi kanë ardhur pak më shumë se 100. Janë me jashtëzakonisht vonesë” tha kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në mbledhjen e sotme të Komisionit.

“Në shumë vende po i afishojmë ende për arsye se këto lista ndahen nëpër institucione, më e shumta nëpër shkolla. Duke qenë në ambiente shkollore kemi të bëjmë me grisje, dëmtime. I kontrollojmë herë pas here që të mos kemi këto probleme” tha kryetari i KZAZ-së 53, Berti Çoku.

Por krahas vonesave procesi është shoqëruar dhe me probleme të tjera. Rreth 2000 votues në uzinën “Dinamo” mund të mbesin pa votuar pasi njësia bashkiake numër 9 ua ka spostuar qendrat e votimit jashtë hartës territoriale të KZAZ-së, duke i lënë pa administrim.

Ndërsa në Kinostudio, sipas kryetarit të KZAZ-së 48, bindjet partiake të drejtuesve të shkollave po pengojnë punën.

“Janë caktuar dy qendra votimi që janë në kundërshtim me kodin zgjedhor. Nuk bëjnë pjesë në hartën gjeografike të kësaj njësie. Janë rreth 2060 votues. Nga afër shtëpisë, rreht 20 metra këto votues do spostohen 1 kilometër, gjë që do të thotë se pengohet mbarëvajtja e procesit. Ne si KZAZ kemi bërë dy shkresa për vënien në dijeni si të KQZ-së dhe të njësisë bashkiake, por deri tani nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje” tha Çoku.

“Ka vazhduar rregullisht, me përjashtim të dy- tre qendrave votimi. Drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë përgjigjur për vendosjen e listave. Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje këtyre drejtuesve që të mos pengojnë afishimin e listave nëpër këto qendra votimi” tha Pal Marku, kryetar i KZAZ-së 48.

KZAZ-të me numër tek kryesohen nga demokratët, ndërsa ato çift nga socialistët. Ndryshe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mes 7 anëtarë ekziston një harmoni e plotë aq sa asnjë  vendimmarrje nuk ka kaluar pa unanimitet votash.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›