Berisha në PPE: Kërkova vëzhgues për zgjedhjet
Kryeministri Berisha kërkoi dje një numër sa më të madh vëzhguesish për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Duke shfrytëzuar një takim të Partive Popullore Evropiane në Bruksel, kreu i qeverisë u takua me krerët më të lartë të vendeve evropiane, të cilëve u parashtroi kërkesën për të monitoruar procesin elektoral. “Unë kërkova që të gjitha vendet të sjellin sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme. I garantova miqtë e mi që zhvillimi më kryesor është të nderoj votën e qytetarëve të mi”, theksoi kreu i qeverisë. Duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Berisha hodhi poshtë sërish propozimin e PS-së për shpërndarjen falas të kartave për qytetarët që nuk kanë pasaportë deri ditën e zgjedhjeve. “Në mënyrën më optimale unë nuk gjykoj se politizimi i këtij procesi ndihmon. Unë mendoj se inkurajimi i qytetarëve për të marrë kartat është detyra e çdo politikani. Synimet e përcaktuara janë qëllimet realisht më të ulëta të imagjinueshme dhe nuk mund të shkohet me zhvlerësimin e tyre. Juve ju kujtohen kartat që morët për të votuar vite më parë dhe u hodhën të gjitha rrugëve, sepse ishin pa asnjë vlerë”, vijoi kreu i qeverisë.