E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesat në punimet e unazës mbajnë peng shërbimin urban

Qyteti i Fierit, ndonëse një ndër më të mëdhenjtë e vendit, ende nuk ka shërbim urban për të lidhur skajet periferike me qendrën. Përfundimi i unazës së qytetit konsiderohet nga drejtuesit e bashkisë si faktori kryesor që do të mundësojë edhe vendosjen e shërbimit urban. Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Eriselda Çobo, shprehet se bashkia ka bërë përpjekje të vazhdueshme për zbatimin e projektit për transportin publik, i cili ekziston prej vitesh si projekt, por vonesat në përfundimin e rrugës kanë zvarritur edhe vendosjen e linjës urbane. "Ky projekt pengohet prej mbylljes së unazës së qytetit, si edhe fondet që ende nuk janë akorduar nga qeveri. Kërkesa e shërbimit urban në qytetin e Fierit natyrisht që është imediate dhe ne jemi të ndërgjegjshëm si institucion që ka ardhur koha që ky shërbim t‘i ofrohet qytetarit fierak. Normalisht që na ka penguar dhe vazhdon të na pengojë përfundimi i unazës së qytetit. Kjo e fundit do të na mundësojë ne si bashki që të kemi mundësi të përcaktojmë linjat se ku do të lëvizin mjetet e transportit. Përfundimi i unazës ka qenë i varur nga përfundimi i planit rregullues, pra me përcaktimin në këtë plan të linjës së urbanit dhe të unazës. Në fakt është përcaktuar tashmë mbyllja e dy pjesëve të unazës që është shtruar dhe është drejt mbylljes pjesa e tretë, por ajo që ka qenë mjaft e rëndësishme dhe që ka sjellë probleme për zgjidhjen e këtij problemi lidhet me mungesën e investimeve", ka sqaruar nënkryetarja Çobo. Më tej shprehet se bashkia e qytetit ka kërkuar me forcë nga institucionet qendrore financimin e projekteve, por me gjithë kërkesat asgjë nuk është realizuar.

"Me fondet e bashkisë është arritur që të mbyllen disa segmente të ndryshme të unazës, por jo përfundimi total i saj. Duhen fonde nga qeveria që të përfundojë projekti. Shumë shpejt, me riaplikimin për fonde e projekte shpresojmë se situata do të marrë zgjidhje", ka thënë nënkryetarja Çobo.

Transporti publik brenda qytetit do të zgjidhte edhe problemet e shumta me qarkullimin rrugor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›