E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhegu i verës rrit me 10 për qind konsumin e energjisë

Rritet konsumi i energjisë elektrike në Fier. Në këto ditë të nxehta korriku, konsumi ditor i energjisë është 10 për qind më shumë se periudhat e mëparshme. Kjo rritje është justifikuar me vapën, që ka shtuar përdorimin e kondicionerëve dhe të frigoriferëve. Vetëm gjatë javës së fundit konsumi i energjisë në zonën e Fierit ka shkuar në kuotën 10 mijë kilovat orë gjatë 24 orëve. Operatori i shpërndarjes së energjisë për zonën e Fierit është ai që deklaron rritjen e konsumit të energjisë gjatë javës së fundit. Burimet zyrtare të këtij operatori detajojnë se konsumi aktual i energjisë në Fier shkon në 10 për qind më shumë se periudhat e mëparshme dhe kjo si pasojë e rritjes së temperaturave dhe përdorimit të energjisë elektrike për ftohje. Të dhënat që servir Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për Fierin tregojnë se biznesi privat është ai që e ka shtuar së tepërmi konsumin e energjisë, pasi ka vënë në funksion të aktivitetit të tij shumë pajisje ftohëse. Konsumi i energjisë elektrike gjatë kësaj jave ka rritur së tepërmi edhe ngarkesën në rrjetin e furnizimit për qytetin e Fierit. Ngarkesat në rrjet kanë bërë që shumë zona të këtij qyteti të përballen me mungesë energjie për disa orë në ditë. Kështu, paraditen e së premtes lagjja "15 Tetori" e qytetit të Fierit, si edhe zona e Bishanakës nuk u furnizuan me energji për më shumë se tre orë. Ndërsa gjatë mesditës, kufizimet e energjisë si shkak i ngarkesës në rrjet janë zhvendosur në lagjet qendrore të qytetit "Apollonia" dhe "29 Nëntori", për të shkuar pasdite me kufizim të energjisë për lagjen "Kastrioti" dhe "11 Janari". Megjithatë burimet zyrtare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të Fierit tregojnë se me gjithë ngarkesën deri tani nuk ka pasur probleme shqetësuese dhe në rrjet. Rritja e konsumit ditor të energjisë konsiderohet nga drejtuesit e OSSH-së së Fierit si një rritje normale për kohën. "Gjithsesi, nga mbingarkesat në rrjet dhe si shkak i riparimit të defekteve do të vijojnë ndërprerjet e energjisë për zonën e Fierit edhe gjatë ditëve në vijim", pohojnë drejtues të njësisë elektrike të Fierit, që prej ditësh janë në gatishmëri të lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›