E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota elektronike Kume 2013 rezultat ne kohe rekord

Votimi elektronik do të jetë pjesë e paketës së reformës zgjedhore. Një ditë pasi nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi ftoi numrin dy të PS-së, Gramoz Ruçin për reformën elektorale, kanë nisur të hidhen idetë e para për mënyrën sesi do të kryen zgjedhjet në vitin 2013. Kristaq Kume, i mandatuar si kryetar i sekretariatit të tryezës së reformës zgjedhore thotë në një intervistë për “AS” se duhet të nisë menjëherë puna për kodin e ri elektoral.

“Në tërësinë e mundësive që krijon teknologjia e informacionit për një proces zgjedhor, unë do të thosha që ne më afër jemi asaj ç’ka mund të realizohet nëpërmjet votimit, jo më me fletë por nëpërmjet një ekrani, klikimit në të. Gjë që do të thotë se kjo do të kërkojë të zgjidhë problemin e identifikimit të automatizuar të zgjedhësve, në funksion natyrisht, të paisjes së të gjithë zgjedhësve shqiptarë me kartën e identitetit dhe shfrytëzimit të mundësive që ka baza e të dhënave për të identifikuar dhe mos lejuar votimin disa herë të të njëjtit zgjedhës dhe po ashtu mundësive që i krijon kjo mënyrë votimi për të mos votuar më shumë se një herë një zgjedhës dhe që vota e tij të numërohet menjëherë-thotë Kume.

Votimi me fletë do të zëvendësohet nga votimi elektronik. Të gjithë votuesit do të zgjedhin siglën e tyre të preferuar nëpërmjet një ekrani me “touch-screen”. Pasi ekrani të lexojë çdo votë, ajo do të printohet dhe do të hidhet në një kuti. Në këtë mënyrë rezultati do të dal në kohë rekord dhe do të marrin fund pikëpyetjet dhe debatet mbi votat e vlefshme dhe të pavlefshme. Kume thotë se ky sistem është aplikuar në formë pilot në Shqipëri dhe do të jetë pjesë e tryezës së reformës zgjedhore me partitë politike.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›