E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vota është e shenjtë”, LSI hap sot mitingun në Tiranë

Një protestë paqësore në mbrojtje të votës së Lirë është mbajtur sot në sheshin “Skënderbej”. Pjesëmarrës në këtë miting ishin edhe përfaqësues të PS 91, PAD-së, PDK-së dhe LZHK-së. “Vota është e shenjtë” është motoja e mitingut 

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur sot rreth orës 16:00 një protestë paqësore në mbrojtje të votës së lirë. Nën moton “Vota është e shenjtë”, krerët e LSI-së kanë mbajtur fjalime para simpatizantëve të tyre të mbledhur në sheshin “Nënë Tereza”.

“Jemi sot për të evituar një tragjedi të re, rreziku është i madh sepse Sali Berisha është përsëri në pushtet” – tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

“Në krye të partisë që duhet te ishte garancia kryesore e zgjedhjeve të ardhshme, po fshihet një Berishë më e madhe se Sali Berisha”.
“Jemi këtu të gjithë bashkë për tu shndërruar në një barrikadë të pakapërcyeshme njerëzore dhe shpirtërore për të ndaluar një herë e mirë marshimin arrogant dhe të verbër të autoritarizmit dhe të korrupsionit politik të dy partive të vjetra” – vazhdoi Meta.

Ky manifestim i hapur për të gjithë qytetarët, është një shqetësim që i bashkon njerëzit në këtë shesh, sepse vullneti i tyre mund të realizohet vetëm nëpërmjet votës së numëruar në mënyrë të ndershme.
"Beteja jonë sapo ka nisur", tha ndër të tjera kreu i LSI-së, duke shtuar se "kjo betejë do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme".

Pjesëmarrës në këtë miting ishin edhe përfaqësues të PS 91, PAD-së, PDK-së dhe LZHK-së.
(O.Zh/A.R/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›