Presidenti grek, Papulias: Do të vizitojë Tiranën
Presidenti grek, Papulias ka shprehur dëshirën për të vizituar Tiranën zyrtare. Një gjë e tillë është thënë ditën e enjte, kur ambasadori shqiptar, i sapoemëruar në këtë detyrë, Dashnor Dervishi i paraqiti letrat kredenciale presidentit Karolos Papulias.
Gjatë ceremonisë, zoti Papulias tha se:“Jam shumë i lumtur dhe krenar, që sot po përjetojmë realitete për të cilat kam besuar gjithmonë dhe për të cilat kam dhënë kontributin tim personal. Ndër të tjera ai ka theksuar se: “sot, edhe në rajonin tonë kanë ndodhur ndryshime të mëdha në gjeopolitikën rajonale për të cilat të dyja qeveritë tona janë të ndërgjegjshme dhe të angazhuara që t’i pasqyrojnë në marrëdhëniet e bashkëpunimit midis tyre, larg paragjykimeve të vjetruara apo ndikimeve të izoluara ekstremiste”. Ai shtoi: “ndjek me interes të madh dhe jam i angazhuar në zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur pezull midis dy vendeve tona. Njëlloj si në gjirin e një familje, me këtë frymë europiane të të dyja palëve, nuk ka problem që nuk mund të tejkalohet. “Edhe përpjekjet e fundit për të përcaktuar Shelfin Kontinental, e shoh si një hap të rëndësishëm përpara, pavarësisht nga pengesat e përkohshme që dalin nga njëra apo tjetra palë, në bulevardin e gjerë të bashkëpunimit tonë”, - tha kryetari i shtetit grek.
Papulias, nuk ka harruar të vlerësoi kontributin mjaft të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Greqi. "Ata janë tashmë një realitet grek, të cilët me kontributin e tyre me punët që bëjnë, janë bërë të domosdoshëm për ekonominë greke, duke dhënë njëkohësisht një kontribut shumë të madh edhe në forcimin e marrëdhënieve njerëzore midis dy popujve tanë drejt integrimit dhe krijimit të një familje të madhe.
Papulias theksoi edhe një herë se, Greqia ka qenë dhe mbetet avokati më i mirë i Shqipërisë me mbështetjen e saj për integrimin e plotë në BE dhe heqjen e vizave në zonën Shengen.
Duke përcjellë urimet më të mira për Presidentin dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Presidenti Grek shprehu dëshirën e pa lëkundur se së shpejti do të bëjë një vizitë në Shqipëri, për të parë nga afër ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur jo vetëm në Tiranë, por edhe në krahina të tjera të vendit.
Ambasadori Dervishi shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve të arritura mes dy vendeve tona, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë kontributin personal të Presidentit grek në forcimin e miqësisë mes dy popujve. Ai e siguroi presidentin Papulias se gjatë ushtrimit të mandatit të tij në Greqi, do të japë kontributin maksimal në rritjen e forcimin e marrëdhënieve midis dy qeverive të vendeve tona mike.
26 Korrik 2010