Anglezi i Shëngjinit, nëpër gjurmët e një krimi të paramenduar
• Çastet e fundit të jetës së vet mund të kenë qenë vërtet të këndshme për Eduard Krejthornin, anglezin e vrarë në Shëngjin të Lezhës nga dy miqtë e vet vendalinj.Nga Shëngjini/ Ferdinand Dervishi Kishte kryer një udhëtim të bukur mes pishave mbi qytet, shpengueshëm, mes ajrit të pastër, pranë pamjes dhe shijes së detit. Fundja, ai dhe dy pjesëtarët e tjerë të familjes, nëna e motra, pikërisht për këto cilësi të natyrës kishin zgjedhur të kalonin një pjesë të jetës në Shëngjin...Të njëjtën rrugë që përshkoi paraditen e 2 shkurtit anglezi Eduard me dy miqtë e tij shqiptarë, Marion dhe Arlindin, na e heq Prek Margjoni, një peshkatar i vjetër i zonës dhe njëkohësisht banor i lagjes që gjendet në veri të qytezës së Shëngjinit. Preka vuan nga një sëmundje në gjunjë, por gjithsesi kurioziteti apo edhe dufi për ngjarjen e padëgjuar e bën të ngjitet në kodër si të ishte i ri. “Kanë kaluar 100 vjet që kjo zonë nuk ka dëgjuar histori të tillë”, rrëfen Preka i prekur nga ngjarja që duket i ka shokuar të gjithë. Një krim i planifikuar“Teksa janë ngjitur në mal të tre kanë tymosur nga një cigare marijuanë”, pohon një nga drejtuesit e policisë së Lezhës, që është marrë me hetimin. Gjithsesi policia kishte qenë shumë larg fillit të së vërtetës në ditët e para pas zhdukjes së anglezit. Ajo pothuaj kishte rënë viktimë e mashtrimeve të njërit prej autorëve, Mario Pjetrushit, që këmbëngulte për largimin e të huajit drejt Elbasanit në shoqërinë e dy të panjohurve. Por, ndërsa policia shëtiste me Marion të gjente në Elbasan makinën e rrëmbyesve, hipotetikë të anglezit, ishin dy fëmijë të vegjël, banorë të zonës, që krejt rastësisht zbuluan kufomën në një pus. Një zbulim që do të risillte në udhën e humbur njerëzit që përfaqësojnë shtetin. Duke studiuar vendin e ekzekutimit, policia ishte bindur se vrasësit ishin shokë të ngushtë të viktimës dhe për të vënë me shpatulla pas murit dy adoleshentë fajtorë nuk është krejt e vështirë. Përgjimet ambientale dhe më tej thyerja e pohimi i vrasjes nga njëri prej autorët, zbardhin të gjitha detajet. “Planifikuam dy ditë më parë ta rrëmbenim me qëllim për t’i vjedhur më pas shtëpinë”, ishte fjalia në krye të rrëfimit të Arlind Vukajt. Dy shokët ishin shoqëruar shpesh me anglezin që banonte pranë tyre dhe sipas hetuesve u kishte bërë përshtypje që ai gjatë gjithë kohës kishte me vete të holla, madje paguante për të gjithë pa iu dridhur dora. Për më tepër dy shokët ishin në dijeni të faktit se familja e Eduardit kishte blerë tri hyrje në të njëjtin pallat, për të cilat natyrshëm që ishte paguar një shumë e madhe të hollash. Dy të rinjtë kishin planifikuar që të shtinin në duar një çelës të hyrjes ku banonte shoku i tyre, pasi ishin në dijeni të faktit se ai do të largohej dy ditë më pas, më 4 shkurt. Mendonin të gjenin xhevahire në atë shtëpi. Por pikërisht atë ditë miku i tyre anglez nuk e kishte pasur me vete këtë çelës, edhe pse ata i kishin rrëmuar gjatë nëpër xhepa. Kështu që pas krimit i vetmi përfitim material për dy shokët do të ishte varësja prej floriri e viktimës, që gjithsesi do i fuste më thellë në telashe. AlibiaNdërsa ngjarja është konsumuar paraditen e 2 shkurtit, pasdite Mario i ka thënë në telefon nënës së viktimës se i biri ishte nisur për në Elbasan me dy të panjohur. Madje, të njëjtën histori ua kishte përsëritur edhe një ditë më pas, kur nëna e Eduardit e kishte ftuar në shtëpinë e saj bashkë me të atin. Pikërisht në këtë kohë kishte hyrë në lojë edhe policia, por pa sukses. Mario njihej si mik i mirë i anglezit të zhdukur dhe mbi të nuk mund të hidhej hije dyshimi. Policia i beson versionit të tij se Eduardi ishte larguar me dy të njohur të tij në drejtim të Elbasanit. Madje, agjentët e policisë së Lezhës marrin me vete Marion dhe nisen në Elbasan në kërkim të makinës me të cilën ishte larguar miku i vet anglez. Mario u kishte u kishte bërë përgjatë një deklarimi një përshkrim të makinës dhe policia tentoi në këtë mënyrë që ta gjente atë. Madje për të rënë në gjurmë të së njëjtës makinë është shkuar edhe në dy qytete të tjera, gjithmonë sipas atyre që Mario sajonte. Ndërkohë ditët kapërcejnë njëra-tjetrën, kalon një javë e plotë, dhe familja vendos të bëjë publike zhdukjen duke zgjedhur emisionin “Njerëz të zhdukur” të televizionit “Vizion Plus”. Por edhe në këtë emision sërish shfaqet Mario, që tenton të bëjë të gjithë të besojnë në variantin e largimit të Eduardit me dy të njohur në drejtim të Elbasanit. Gjithsesi publikimi i ngjarjes vë në lëvizje të gjitha strukturat e sigurisë. Një shtetas anglez i zhdukur nuk ishte një ngjarje që mund të lihej në mëshirë të fatit, por gjithsesi vetëm gjetja e kufomës do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve, duke hedhur përtokë së pari pikërisht alibinë e mikut të ngushtë të anglezit Eduard.Skema e vrasjesPolicisë i është dashur të thyejë një pjesë të pusit të ngushtë, ku fëmijët që ruanin bagëtinë gjetën kufomën e anglezit Eduard. Pusi gjendet në oborrin e shtëpisë së braktisur të Tom Gjokës dhe është nga ata që grumbullojnë ujin e shiut, pra i cekët. Sipas dëshmisë së të arrestuarve në polici, në këtë shtëpi pothuaj të përpirë nga shkurret dhe që gjendet rreth 40 minuta në këmbë nga ekstremi verior i qytezës së Shëngjinit, ata e kishin tërhequr mikun e tyre anglez me qëllim për ta grabitur. Pikërisht nga ballkoni i kësaj shtëpie Eduardi kishte vëzhguar për herë të fundit parajsën që deti Adriatik formon së bashku me gjirin e Lezhës dhe mbase e kishte quajtur veten me fat. Sipas dëshmisë në polici të Arlind Vukajt, ai e kishte qëlluar i pari anglezin me një send të hekurt, një ele të ndryshkur të gjetur në shtëpinë e braktisur. E kishte qëlluar pas koke duke e rrëzuar përtokë. Më tej, Mario, duke parë se anglezi ende merrte frymë, i kishte rrëmbyer hekurin nga dora duke e goditur disa herë të tjera. Gjithsesi ka një moment kur dëshmitë e të arrestuarve përthyhen. Thonë se nuk kishin qëllim ta vrisnin, se thjesht u kishte dalë situata duarsh, pasi donin vetëm ta rrëzonin përtokë të zalisur dhe t’i merrnin çelësin e shtëpisë, të cilën më pas ta vidhnin. Por hetuesit nuk i kanë besuar, duke argumentuar se nëse do të mbetej gjallë, anglezi do t’i denonconte. Sipas tyre, pretendimi nuk mbështetej as në prova as në logjikë. Pasi i kanë marrë varësen e florinjtë viktimës së tyre, dy shokët e kanë hedhur atë në pusin grykëngushtë që gjendej në oborr, duke u kujdesur më parë që t’i mbushnin xhepat me gurë me qëllim që të zhytej në thellësi. Hetuesit mendojnë se ka të ngjarë që anglezi nuk ka qenë i vdekur kur është hedhur në ujë, por thjesht i zalisur. Uji, sipas tyre, mund të ketë qenë shkaktari i vdekjes. Por gurët nuk e kishin mbajtur dot trupin në thellësi të pusit. Ai kishte dalë në sipërfaqe duke e bllokuar krejt grykën e ngushtë nga fëmijët që e zbuluan, të cilët tentuan pa sukses të merrnin ujë për të pirë. Poshtë, qindra metra më tej, natyra gjithsesi vazhdon të ruajë pamjen e parajsës. Të asaj parajse që Eduardi vëzhgoi para se të ndiente një goditje të shurdhër pas kokës, ardhur papritur, krejt papritur... Ai, nëna dhe motra e kishin pëlqyer aq shumë Shëngjinin, saqë kishin vendosur të kalonin këtu një pjesë të jetës...Prindërit i lënë fëmijët pa avokatëTë dy djemtë e rinj nga Shëngjini që akuzohen për vrasjen e shokut të tyre, nënshtetas britanik, kanë mbetur edhe pa avokatë mbrojtës. Familjarët e tyre nuk u kanë pajtuar avokatë dhe ky është një mosveprim që është kushtëzuar prej faktit se ata e dënojnë ekstremisht atë që të bijtë kanë bërë. Por nuk janë vetëm prindërit e Arlindit dhe të Marios që e dënojnë këtë krim. I gjithë komuniteti i Shëngjinit ka mbetur pa frymë pasi e ka mësuar këtë ngjarje. Të gjithë ata që e nxjerrin nga goja një opinion, flasin të pezmatuar duke e vlerësuar veprimin e dy të rinjve si të paimagjinueshëm dhe nga ata që nuk kanë ndodhur kurrë në këtë zonë. Madje ka disa që betohen se krime të ngjashme nuk kanë ndodhur as në vitin 1997, në mungesë të shtetit.Nëna, një tufë me lule te vendi i vrasjesNëna e viktimës e shoqëruar nga tre vajzat e saj kanë realizuar dje pasdite një udhëtim paksa të veçantë. Të shoqëruara nga disa policë shumë të kujdesshëm të mos linin askënd të afrohej, ato janë ngjitur në mal për të parë nga pranë vendin ku dha shpirt i afërmi i tyre. Për shkak të rrugës shumë të keqe, shoferit të furgonit të policisë i është dashur disa herë t’i zbresë femrat, të cilat janë detyruar të bëjnë një pjesë të udhës në këmbë. Nëna e Eduardit ka vendosur një tufë me lule pranë pusit ku ai gjeti vdekjen dhe është shkrehur në vaj. Femrat janë tmerruar edhe më tepër nga makabriteti i vrasjes së të afërmit të tyre dhe të qarat me zë të lartë janë dëgjuar larg.Barinjtë e vegjël: Si e gjetëm kufomën e anglezitAta janë dy djem të vegjël të imët që ende ruajnë bagëtitë, dhitë në afërsi të shtëpisë së braktisur ku u gjet kufoma e anglezit Eduard Krejthorn. Më i vogli quhet Kristian dhe është vetëm 10 vjeç, ndërsa tjetri që quhet Gjergji është 2 vjet më i madh. Familjet e tyre kanë zbritur këto vite të fundit nga malësitë e Mbishkodrës dhe janë vendosur pikërisht në shtëpitë e braktisura të shëngjinësve të vjetër, të cilët kanë zbritur më poshtë, pranë detit. “Shkuam të pinim ujë kur e zbuluam kufomën”, rrëfen Kristiani. Më 20 shkurt, më shumë se dy javë e gjysmë pas zhdukjes, dy fëmijët, të etur nga lodhja apo loja, nuk munden të nxjerrin ujë nga pusi që frekuentonin shpesh. Një rrobë mbulonte gjithë syprinën e ujit, niveli i të cilit ishte rreth një metër në thellësi të grykës dhe pengonte shishen të zhytej. Një nga djemtë merr një shufër hekuri dhe e mundohet ta lëvizë, por has në vështirësi. Gjithsesi rroba dikur lëviz dhe fëmijët shokohen nga pamja e një krahu dhe më tej e një dore njeriu. E kuptojnë se në pus ka një të mbytur dhe natyrshëm u shkon mendja që t’i rrëfejnë një më të madhi në moshë. “Shkova vrap dhe i thashë babait”, vazhdon rrëfimin Kristiani. Më tej, sipas fëmijëve, i ati i Kristianit ka lajmëruar policinë me telefon celular.Pusi i dytëNjë tjetër pus i së njëjtës shtëpi, që gjendej në verandë, ishte i mbyllur me çelës. Nëse ai do të ishte i hapur, kufoma nuk do ishte gjetur në kohë. Fëmijët që ruanin bagëtitë në këtë zonë frekuentonin për të pirë ujë pusin në oborr dhe jo tjetrin, pasi ai ishte më i cekët dhe me një shishe të thjeshtë mund të mbushje ujë pa u munduar.