Braçe: Opozita kërkon eliminimin e Dushkut në zgjedhje
• Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i është përgjigjur arsyeve të LSI-së për t'u shkëputur nga koalicioni i majtë.Sipas tij, marrëveshja e partive të koalicionit opozitar ka pasur në themel të saj një sistem zgjedhor që do të eliminonte Dushkun. "Mbi të gjitha, kanë qenë disa parti të interesuara, që të gjitha partitë e koalicionit të betoheshin se nuk do ta aplikonin më sistemin e Dushkut në Shqipëri. Praktikisht, anti-Dushku presupozon votimin me një fletë votimi dhe për secilën parti më vete. Nuk po ndodh më shumë se sa kaq, sa është kërkuar në vijimësi. Nuk po bëjmë asgjë më shumë se sa është shkruar në një marrëveshje paraprake dhe politike që kanë partitë e koalicionit", tha Braçe. Një ditë më parë kryesia e LSI-së vendosi daljen nga koalicioni opozitar për shkak se PS-ja dhe lidershipi i saj shkeli tryezën dhe marrëveshjen e partive opozitare. Një nga pikat e reformës zgjedhore që ndan PS-ja nga partitë e tjera, edhe LSI-në është ajo e listave të kandidatëve. PS-ja kërkon lista të mbyllura, ndërsa LSI-ja këmbëngul në listat e hapura. Nënkryetari i grupit të PS-së Braçe tha se, çështja e listave është rekomandim i monitoruesve ndërkombëtarë. "Sa për listat e hapura edhe të mbyllura, LSI-ja duhet të sqarohet me ODIHR-in, sepse ajo e monitoron procesin zgjedhor në Shqipëri", u shpreh Braçe. Por ai hodhi poshtë pretendimet e LSI-së për një marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi të PS-së me PD-në. "Ju bëj me dije se nuk ka marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate. Ajo që ne kemi bërë publike për reformën zgjedhore, ka të bëjë me 5 "Jo", që tashmë i dinë të gjithë dhe për të cilat, përgjithësisht partitë e koalicionit kanë rëndë dakord. Kjo është e vërteta", theksoi Braçe.