PR-ja mbyll fushatën zgjedhore, Mediu: “Katër vitet e ardhshme do t’u kthejmë pronën shqiptarëve”
Republikanët kanë mbyllur dje fushatën elektorale në një tubim në pallatin e sportit "Asllan Rusi", me premtimin kryesor se “në katër vitet e ardhshme do të kthejnë pronën te pronarët”. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se “kjo shtresë në veçanti duhet të jetë mirënjohëse ndaj Sabri Godos, që ka theksuar konceptin e pronës në Kushtetutën e Shqipërisë. Nëse ne kërkojmë zgjidhjen e çështjes së pronës private, këtë nuk e bëjmë thjesht e vetëm për të korrigjuar një padrejtësi të ndërtuar nga regjimi komunist, por e bëjmë se nëse shqiptaret duan Europën, ajo ka një standard të përcaktuar në Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe një nga këto është respektimi i të drejtës së pronës private si një e drejtë themelore”, - është shprehur Mediu. Në një atmosferë festive Mediu premtoi gjithashtu se “republikanët do të jenë pjesë e rëndësishme e qeverisjes së ardhshme në rast të fitores së të djathtëve” duke vijuar se “së bashku me demokratët, me drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, do të jemi në qeverisje për të drejtuar Shqipërinë në ëndrrën e saj të madhe”.
26 Qershor 2009