LSI, Gjikondi: Qeveria po shkel angazhimet e MSA
• Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi dje qeverinë për shkelje dhe mosmbajtje të asnjë prej detyrimeve të saj në kuadër të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.Sekretarja organizative në LSI, Brizida Gjikondi, shprehu "shqetësim në lidhje me impenjimet që janë marrë për sa i takon prioriteteve afatshkurtër për infrastrukturën bazë të shërbimit të gjendjes civile, por sidomos për sistemin e adresave, ku shprehimisht qeveria shqiptare ka legjitimuar: se brenda viteve 2006-2007 do të realizonte hartimin e një sistemi adresash për ndërtesat dhe pronat e tjera të paluajtshme". "Qeveria shqiptare nuk ka asnjë vizion dhe strategji jo vetëm për zonat që janë të urbanizuara, por kanë mangësi në sistemin adresor, por gjithashtu ajo nuk ka asnjë strategji konkrete se si do të procedohet me zonat informale, të cilat sipas ligjit në fuqi do të legalizohen e më pas do të urbanizohen, rikujtoj këtu se edhe afatet e përcaktuara nga ligji për legalizimin e tyre janë shkelur prej muajsh", tha Gjikondi. Sekretarja e LSI-se shprehet pesimiste për pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti nisur nga procesi shumë i ngadaltë i deritanishëm. "Kemi përballë një qeveri kaotike dhe mashtruese, e cila pa reshtur gënjen jo vetëm faktorin ndërkombëtar, por dhe fyen intelektin e një populli të tërë. Nisur nga ky dështim i radhës jemi pesimistë dhe për tenderin dhe procedurat që do pasojnë pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti", tha Gjikondi.