E Diel, 1 Nëntor 2026

“Voto tre ligjet, ke garancinë se nuk ka status para 23 qershorit”

30-03-2013 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu thirrje të fundit kreut të PS-së për 3 ligjet

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ftoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, që të mos pengojë deputetët e opozitës të votojnë tre ligjet e integrimit për t’i dhënë një shans vendit në marrjen e statusit kandidat në BE. “Sot kur Komisioni Evropian nuk do të paraqesë më raport për Shqipërinë, sot kur ke marrë sigurinë se statusi i kandidatit nuk miratohet dot nga BE para zgjedhjeve, sot kur nuk mund të kesh më frikë se përveç reformave madhore, anëtarësimit në NATO e liberalizimit të vizave, kjo qeveri do të hynte në zgjedhje edhe me fitoren e statusit të vendit kandidat, të paktën sot voto tre ligjet”, iu drejtua ministrja Bregu kreut të PS-së përmes një deklarate për shtyp.
Sipas saj, tani na ndajnë vetëm 23 ditë nga mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku do të diskutohet zgjerimi i vendeve të Ballkanit, por fatkeqësisht jo Shqipëria, sepse nuk kemi votuar ende 3 ligjet, që u vunë kusht për integrimin.
Kur kanë mbetur më pak se 8 seanca parlamentare, Bregu i bëri thirrje Edi Ramës ta lejojë opozitën në parlament të votojë 3 ligjet që mbajtën peng statusin për tre vjet. “Edi Rama, bllokove për 3 vjet aspiratën evropiane të shqiptarëve, urdhërove opozitën të bojkotojë e të mos votojë vetëm këto 3 ligje, ndërsa ka votuar gjatë kësaj legjislature, jo pak por plot 133 ligje. Jepu mundësinë deputeteve të tu, që i kanë votuar 133 ligjet, e që ndoshta s’do të jenë më në parlamentin e ri, të mos e mbyllin këtë parlament me turpin e bllokimit të aspiratës së shqiptarëve për integrim”, vijoi Bregu.
Në përfundim, Bregu ftoi sërish kreun e PS-së që të gjejë forcën dhe vullnetin për të hequr dorë nga bllokimi. “Sot humbet edhe më shumë duke këmbëngulur tek bllokimi i votimit të tre ligjeve. Mos mbaj më inate për interesa të ngushta personale, siç ke bërë deri më sot. Voto tre ligjet”, theksoi ministrja Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›