“Referendumi për 3 ligjet, instrument demokratik”

Flet ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ka deklaruar në një intervistë se referendumi për 3 ligjet e integrimit është padyshim një instrument demokratik, në dispozicion të vendimmarrjes politike, sidomos për çështje të një interesi të madh shoqëror dhe shtetëror. “Obstruksioni i zgjatur politik ndaj procesit të miratimit të ligjeve dhe të reformave të integrimit, që po mban peng edhe çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nxori si alternativë edhe kalimin e këtij ngërçi te vota popullore. Kjo është tërësisht demokratike dhe e ligjshme. Por parimi se ‘nyja që nuk zgjidhet duhet të pritet’, nuk përputhet tërësisht me procesin e integrimit Europian të Shqipërisë, i cili në thelb të tij ka kompromisin dhe konsensusin midis palëve. Ky proces në vetvete ka shumë nyje, të cilat kërkohen që të zgjidhen dhe jo thjesht të priten. Në këtë këndvështrim, instalimi i kulturës së kompromisit dhe arritja e konsensusit merr edhe më shumë rëndësi se sa vetë rezultati i këtij konsensusi. Në fakt ajo që kërkohet nga të dy kampet e politikës është arritja e një kompromisi historik për të gjitha ligjet që i takojnë paketës së integrimit europian të vendit, pa kushte, pa artifica dhe pa asnjë ‘casus belli’, pavarësisht nga pozita e palëve në qeveri apo në opozitë”, tha Panariti.
Në lidhje me koalicionin në të cilin do të bëjë pjesë LSI në zgjedhjet e 23 qershorit, Panariti ka theksuar se “LSI i takon koalicionit të interesave qytetare, shtetërore dhe atyre kombëtare. LSI i takon koalicionit të integrimit të shpejtë, pa hezitim dhe pa pengesa në BE. LSI i takon koalicionit të rritjes ekonomike dhe punësimit. Koalicionet tona nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do jenë aritmetikë numrash, por sinergji vizionesh, objektivash, të programeve dhe të veprimeve”.
Duke folur mbi hapat e fundit që janë ndërmarrë nga Tirana zyrtare në lobimin për Kosovën, Ministri Panariti është shprehur se “objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në këtë vit i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme”.