E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama u ka shpallur luftë investimeve të huaja

30-03-2013 / Gazeta 55

Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo

“Të gjithë e kanë të qartë se Edi Rama është një mace e zezë për investimet e huaja në vend”. Kështu u shpreh dje zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo gjatë një deklarate për mediat, duke komentuar paketën e re të reformave të qeverisë, me qëllim zhvillimin e biznesit dhe rritjen e punësimit. Bozdo vlerësoi edhe suksesin e sistemit të taksave, përmes taksës së sheshtë 10 për qind, çka ka bërë që Shqipëria të marrë 4 miliardë dollarë në investime të huaja.
Kërcënimet e kryesocalistit Edi Rama për rritjen e taksave, zëvendësministri i Ekonomisë i quan “luftë kundër investimeve të huaja”. “Kryeministri Berisha, diskutoi planin e tij të ri për të hapur më shumë vende pune nëpërmjet investimeve të huaja, me përfaqësuesit e biznesit të huaj në Shqipëri, në ambientet e fabrikës Coca-Cola, investimi i parë i huaj në vend. Dhe që nga ajo ditë ne kemi bërë rrugë të gjatë. Taksa e sheshtë nga PD si dhe aksionet dhe vendimet e tjera pro-biznesit, kanë ndihmuar në thithjen e 4 miliardë dollarëve në investime publike dhe private nga jashtë. Tashmë të gjithë e kanë të qartë se Edi Rama është një mace e zezë për investimet e huaja në vend. I ashtuquajturi plani i tij për të rritur taksat, grevat e zgjatura të urisë dhe veprimet e dhunshme të mirëplanifikuara, të ngjizura në dhomën e tij të gjumit ngjyrë mavi, i trembin dhe i largojnë investitorët e huaj. Edi Rama ka bërë çfarë ka mundur kundër investimeve të huaja; tashmë i ka ngelur vetëm të vendosë një parullë me dorën e vet në Aeroportin Nënë Tereza, ku të shkruajë se “Investimet e huaja nuk janë të mirëpritura”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te votimi i 3 ligjeve të statusit të kandidatit në BE, zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo deklaroi se, nëse Rama do t’i votonte ato, Shqipëria do përfitonte 30 milionë euro më shumë nga fondet e BE, të cilat do çonin në hapjen e dhjetëra e mijëra vende të reja pune.
Sipas tij, Edi Rama është i gatshëm jo vetëm t’i lërë shqiptarët pa punë, por të heqë nga puna edhe ata që janë të punësuar, vetëm për shkak të strategjisë së tij të dështuar elektorale. “Votimi i tre ligjeve për integrimin në Bashkimin Europian do të sillte 30 milionë euro çdo vit dhe do të hapte dhjetëra e mijëra vende pune. Por Edi Rama ka 3 vjet që i bllokon ato. Taksa jonë e sheshtë ka bërë që të jemi konkurrues me shtete të tjera në Ballkan dhe në BE, por edhe këtë Edi Rama kërkon ta heqë! Nuk i mjafton kjo, por ka edhe pafytyrësinë të thotë se ai do të prishë edhe kontratat ekzistuese për projekte të mëdha në hapjen e vendeve të punës. Edi Rama është i gatshëm jo vetëm t’i lërë shqiptarët pa punë, por të heqë nga puna edhe ata që janë të punësuar, vetëm për shkak të strategjisë së tij të dështuar elektorale. Dhe jo vetëm si drejtues i PS, por edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai nuk bëri asnjë gjë për të sjellë investitorë të huaj. E vetmja gjë që bëri ai, përveç barsaletave, ishte dyfishimi i taksave, duke trembur e larguar investitorët e rinj. Edi Rama mund të çirret, të përçartet e të bojkotojë, por Partia Demokratike do të vazhdojë projektin e saj konkret për krijimin e sa më shumë vende pune, me paga më të mira, me të vetmin qëllim që të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve, duke tërhequr sa më shumë investime të huaja”, përfundoi Bozdo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›