Kume: Si do ndahen mandatet
Aristir Lumezi
Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë për “Panorama” shpjegon në mënyrë të detajuar se si bëhet ndarja e mandateve të deputetëve mes koalicioneve të një qarku dhe si bëhet ndarja e tyre brenda vetë një koalicioni. Sipas tij, dy janë metodat që llogarisin ndarjen e mandateve, metoda “D’Hont” për ndarjen mes koalicioneve dhe metoda “Sainte Lague” për ndarjen e mandateve brenda një koalicioni. Kume shpjegon se pragu minimal që një koalicion të fitojë një mandat deputeti është 5 për qind, ndërsa për një parti që garon e vetme jashtë koalicionit është 3 për qind. Sipas tij, votat e një koalicioni apo partie që nuk kalon këtë prag nuk merr asnjë mandat. Por Kume vëren se sistemi lejon një diskriminim mes një partie brenda koalicionit dhe një parti që garon e vetme. Sipas tij, votat që këto parti marrin nuk kanë të njëjtën peshë dhe kjo kërkon rishikim të Kodit Zgjedhor pas këtyre zgjedhjeve. Duke komentuar koalicionet dhe kërkesën e dy partive të mëdha për krijimin e koalicioneve të përbëra me lista të mbyllura, Kume shprehet se, “do ta konsideroja një zgjuarsi të partive të mëdha, të cilat duke përfshirë në koalicionet e tyre edhe parti të vogla, bëjnë të mundur që të përfshihen në thesin e koalicionit të gjitha votat edhe të partive të vogla dhe ato të përfitojnë si koalicion, edhe pse partitë e vogla mund të mos kthehen në mandat”. Gazeta boton sot shembujt e ndarjes së mandateve mes koalicioneve dhe brenda vetë partive brenda koalicioneve. Me këtë shembull të gjithë lexuesit mund të llogarisin vetë, që pas daljes së rezultateve të para, numrin e depuetëte që do marrin koalicionet dhe partitë brenda tyre të ndara sipas qarqeve.
Sot të gjithë shqiptarët i janë drejtuar kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre me anë të votës. Për të pasur një ide sa më të qartë të mënyrës se si do të llogariten votat, mund të na shpjegoni formulën se si do të ndahen mandatet e deputetëve?
Zgjedhjet këtë radhë do të zhvillohen në përputhje me kërkesat e sistemit të ri proporcional rajonal, kërkesa të cilat më pas janë përkthyer në Kodin Elektoral, ku ka një varg udhëzimesh dhe rregullash mbi të cilat do të bëhet përllogaritja e nevojshme e mandateve. E para që duhet të ketë parasysh çdo zgjedhës që voton, është fakti që ai shpreh vullnetin e tij me votë dhe efektet e tij kanë të bëjnë me qarkun ku ai jeton. Këto efekte nga një rajon shumohen dhe çojnë në konfiguracionin politik të parlamentit të ardhshëm. Zgjedhësi do hedhë një votë në një fletë votimi, ku janë të renditura koalicionet me partitë përbërëse të tyre, apo partitë kur kandidojnë më vete jashtë koalicioneve. Pra, nuk ka mundësi të votohet për dy subjekte apo koalicione. Fleta e votimit del e pavlefshme nëse shënohen dy kryqe në të.
Si do të ndahen vendet midis koalicioneve?
Në Kodin Zgjedhor për të ndarë mandatet mes koalicioneve përdoret metoda D’Hont, e cila në mënyrë të thjeshtuar mund të shpjegohet në këtë mënyrë; pasi të jenë numëruar votat për të gjitha koalicionet më vete, pra numërohen votat sipas partive brenda një koalicioni dhe shuma e tyre përbën votat e këtij koalicioni. Llogaritet se cila është përqindja e çdo koalicioni që del nga llogaritja e numrit të votave që ka marrë me numrin e përgjithshëm të votave në atë qark. Kjo bëhet për të parë nëse partitë kanë kaluar pragun minimal për të përfituar një mandat në atë qark. Votat e çdo koalicioni pjesëtohen me numra të njëpasnjëshëm, 1, 2, 3, 4... e kështu me radhë dhe pjesëtimi vazhdon për aq numra sa janë mandatet. Pasi ndërtohet kjo pasqyrë me herës, bëhet një renditje e tyre nga shifra më e madhe deri tek më e vogla, duke ia vënë përbri koalicioneve që i takojnë. Pasi është bërë dhe ky veprim, plotësohet numri i mandateve të qarkut me herësit që kanë dalë nga pjesëtimi i numrit të votave që ka marrë çdo koalicion, deri në kufirin e mandateve që është përcaktuar nga KQZ-ja. Kjo është mënyra e ndarjes së mandateve brenda një qarku për koalicionet.
Si bëhet përllogaritja e mandateve brenda një koalicioni?
Një koalicion, pasi ka marrë numrin e deputetëve që i takojnë nga ndarja e parë mes koalicioneve të një qarku, i duhet të ndajë këtë numër mandatesh mes anëtarëve të koalicionit. Ndarja bëhet sipas formulës e cila realizon pjesëtimin e numrit të votave nga çdo subjekt brenda koalicionit me numra tek si; 1, 3, 5, 7, 9,... deri në shpërndarjen e të gjitha mandateve që ky koalicion ka fituar.
Kjo mënyrë bën që partitë e vogla që janë pjesëtare e një koalicioni të përfitojnë, pra votat e tyre të vlerësohen më shumë nëse ato do të ishin jashtë koalicioni. Kjo ka nxitur dhe krijimin e koalicioneve. Në këtë mënyrë, siç është përcaktuar në Kod, një analizë e thjeshtë rezulton se një parti e vogël i intereson të jetë brenda një koalicioni. Unë do ta konsideroja një zgjuarsi të partive të mëdha, të cilat duke përfshirë në koalicionet e tyre edhe parti të vogla, bëjnë të mundur që të përfshihen në thesin e koalicionit të gjitha votat, edhe të partive të vogla dhe ato të përfitojnë si koalicion, edhe pse partitë e vogla mund të mos kthehen në mandat.
Sa është pragu i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për një koalicion dhe një parti e vetme për të marrë një deputet?
Në rastin kur mandatet llogariten brenda një rajoni, kur dimë se rajonet kanë numër të ndryshëm mandatesh, kemi dhe pragje të ndryshëm, pra ndryshon nga një rajon në tjetrin. Se sa do të jetë numri i nevojshëm për të marrë një deputet në këto zgjedhje me këtë sistem, ky do të ndryshojë dhe nga pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje. Pra, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në zgjedhje aq më shumë vota duhen për të nxjerrë një deputet. Në këto kushte partive të vogla do t’u interesonte të kishte pjesëmarrje sa më të ulët, sepse aq më pak vota duhen për të marrë një deputet. Por Kodi Zgjedhor ka përcaktuar prag minimal për koalicionet, që është 5% dhe për partitë që garojnë më vete 3%. Kjo do të thotë se nëse koalicioni nuk merr 5% të votave në një qark, apo një parti që garon më vete nuk merr 3% të votave, ato përjashtohen nga përllogaritja për ndarjen e mandateve. Pra, ato nuk marrin asnjë mandat.
Nëse një parti brenda një koalicioni nuk arrin me votat që ka marrë një deputet, cilës parti i llogariten votat e saj apo shkojnë dëm?
Nëse supozojmë se brenda koalicionit për të marrë një deputet kërkohen 4000 vota dhe një parti e këtij koalicioni ka marrë 3900 vota, këto vota nuk i vlejnë kësaj partie për të marrë një deputet, por i kanë shërbyer koalicionit në tërësi si vota më shumë për të marrë një deputet në nivel qarku në ndarjen e parë që u bë sipas metodës d’Hont midis koalicioneve. Vota e partisë së vogël, që nuk arrin të marrë deputet, nuk i shkon asnjë partie, por ka ndihmuar koalicionin në tërësi për të pasur më shumë vota.
Sa të diskriminuara janë partitë jashtë koalicioneve?
Këto parti e kanë të vështirë të përballen me koalicionet, sepse mbështetur në formulën e ndarjes së mandateve mes koalicioneve, rezulton se një parti jashtë koalicioni që ka marrë të njëjtën numër votash me një parti brenda koalicionit e ka më të vështirë për të nxjerrë një deputet, vota e saj ka peshë më të ulët se e partisë brenda një koalicioni. Duhet të jesh parti me elektorat të madh që të mundesh të hysh e vetme në zgjedhje.
Nëse përqindjet brenda dy partive të të njëjtit koalicion janë të barabarta, si do të ndajnë mes tyre mandatin e deputetit?
Nëse përqindja e tyre është e barabartë edhe me presje dhjetore, atëherë përcaktimi i mandatit të deputetit bëhet me short.
shembulli
Si bëhet ndarja e mandateve
Në shembullin e mesipërm është marrë një qark nga i cili do të dalin 8 deputetë. Në këtë qark, Koalicioni 1, ka marrë 21042 vota në total, Koalicioni 2 ka marrë 12066 vota, Koalicioni 3 ka marrë 11487 vota, koalicioni 4 ka marrë 4043 vota dhe partia X e cila ka marrë 3259 vota. Sipas formulas së re, çdo koalicion do të pjesëtojë shumën totale të votave të marra me numrin e kandidatëve njëri pas tjetrit. Pra, votat totale do të pjestohet tetë herë me rradhë progresivisht. Numri i votave total pjestohet me 1, pastaj me 2, pastaj me 3, e kështu me radhë deri në tetë herë sa është numri i mandateve të qarkut. Në tabelë janë të vendosura numrat e votave, sipas formulës, për tetë herë rresht për të gjitha koalicionet dhe partinë. Pas pjestimit fillon edhe ndarja e mandateve sipas vlerës më të madhe. Mandatin e pare e merr Koalicioni 1 me 21042 vota. Kjo shifër, nuk llogaritet më për ndarjet e 7 mandateve të tjera. Pasi merret ky mandat, shikohet kush nga koaliconet ka numrin më të madh të ngelur në tabelë. Mandatin e dytë e merr Koalicioni 2 me 12066 vota, si numri më i madh i ngelur në tabelë. Edhe këto vota, nuk llogariten më për ndarjen e 6 mandateve të ngeluara. Mandatin e tretë e merr Koalicioni 3, me 11487 vota. Edhe këto vota nuk llogariten më për fitimin e 5 mandateve të mbetuar. Numrin më të lartë të votave për fitimin e mandatit të katërt e ka sërish Koaliconi 1, me 10521 vota. Edhe kjo shifër përjashtohet nga llogaritja për ndarjen e 4 mandateve të mbetuar. Shumën më të madhe të votave të mbetuar për mandatin e pestë e ka Koalicioni 1, me 7014vota. Pasi përjashtohet edhe kjo shumë nga llogaritja, shumën më të madhe të mbetuar për përfitimin e mandatit të gjashtë e ka Koalicioni 2, me 6033 vota. Mandatin e shtatë e merr koalicioni 3 me 5744 vota. Pas përjashtimit të kësaj shifre mandatin e fundit e merr Koalicioni 1 me 5261 vota. Të gjithë votat e tjera të koalcioneve dhe partive nuk llogariten më pasi të tetë mandatet që ka qarku tashmë janë ndarë.
ndarja e mandatave brenda koalicionit
Pasi ka marrë katër deputëtë në këtë qark, koalicioni do të bëjë edhe ndarjen e mandateve brënda partive që përbëjnë koalicionin. Në shembullin tonë Koaliconi 1 është i përbërë nga 5 parti. Partia A, ka marrë gjithsej 11,500 vota, partia B ka marrë 4000 vota, Partia C ka marrë 2700 vota, Partia Ç ka marrë 2000 vota dhe Partia D ka marrë 842 vota. Ndarja e mandateve brënda koalicionit është më e ndryshme nga ajo e votave në total. Sipas formulës, shuma totale e votave të secilës parti pjestohet progresivisht me numrat tek. Pra me 1, pastaj me 3, pastaj, me 5 pastaj, me 7 e kështu me rradhë. Më pas formula është e njëjtë me të gjithë koaliconet. Pra, mandatin e parë e merr partia që ka numrin më të madh të votave. Në rastin tonë, mandatin e parë me merr Partia A me 11500 vota. Kjo shifër përjashtohet nga tabela dhe shikohet kush është shifra më e madhe që do të marrë mandatin e dytë. Në rastin tonë, mandatin e dytë e merr Partia B me 4000 vota. Edhe kjo shifër përjashtohet nga tabela për llogaritjen e mandatit të tretë. Mandatin e tretë e merr shifra më e madhe e ngelur që është ajo e Partisë A me 3833 vota. Edhe kjo shifër përjashtohet nga tabela për llogaritjen e mandatit të katërt. Mandati i katërt i takon Partisë C me 2700 vota. Duke qenë se koalicioni ka marrë vetëm katër mandate dhe këto mandate janë ndarë, partitë e tjera dhe votat që kanë ngelur nuk vlejnë më për llogaritje.