E Diel, 1 Nëntor 2026

Paga minimale, jo më pak se 18 mijë lekë

Rritjen e pagës minimale, specialistët e lidhin me kompensimin e humbjeve nga ulja me 5 % e kontributeve shoqërore


Sipas vendimit të qeverisë, asnjë punonjës në sektorin privat nuk do të paguhet me pak se 18 mijë lekë në muaj


TIRANË- Niveli minimal i pagave mujore për punonjësit e sektorit privat në vend, rritet me 1 mijë lekë. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, çdo punëdhënës nuk mund t'i paguajë punonjësit me një pagë më të ulët se 18 mijë lekë në muaj.


Madje, vendimi i marrë dje, i shtrin efektet e tij financiare që nga data 1 maj 2009, datë në të cilën ka hyrë në fuqi edhe aplikimi i uljes me 5 për qind të kontributeve të sigurimeve shoqërore.


Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha theksoi se ky është një vendim i rëndësishëm dhe në të mirë të punonjësve. "Rritja e nivelit të pagës minimale me 1 mije lekë në shkallë vendi, ka të bëjë për sektorin privat, pasi paga në sektorin publik është më e lartë", - u shpreh ai. Sipas VKM-së, çdo punonjës në sektorin privat duhet të kryejë mesatarisht 174 orë punë ne muaj.


Hapin më të fundit të qeverisë, specialistë të ndryshëm e lidhin me vendimin për uljen me 5 për qind të masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore që punëdhënësit duhet të paguajnë për punonjësit.


Sipas tyre, kjo është një mënyrë për të lehtësuar sadopak efektin financiar prej 4 miliardë lekësh, që pritet të ketë aplikimi i ndryshimeve në ligjin "Për Kontributet Shoqërore", për uljen e masës së sigurimeve shoqërore që duhet të paguhet për çdo punonjës.


Duke u rritur niveli i pagës minimale, theksojnë ata, rritet edhe masa e kontributeve shoqërore që duhet të paguhen. Sipas ndryshimeve të miratuara disa javë më parë në Kuvend, që nga data 1 maj 2009, punëdhënësit do të paguajnë 24.5 për qind të pagës bruto të punonjësve të tyre, si kontribute për sigurimet shoqërore, nga 29.5 për qind që ishte para kësaj date.


Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave pritet të hasë me kundërshtimin e komunitetit të biznesit, të cilët vazhdimisht i kanë kërkuar kësaj të fundit që të marrë masa lehtësuese ndaj tyre, duke marrë parasysh se janë përballur me ulje të sasisë së parasë dhe humbje të tregjeve, në të cilët eksportonin mallrat e tyre.


Vetëm disa javë më parë, përfaqësues të bizneseve të tekstileve në vend, me anë të një letre të hapur i kërkuan qeverisë krijimin e disa lehtësirave në pagimin e kontributeve shoqërore për punonjësit e rinj, për shkak të vështirësive të hasura në gjetjen e tregjeve. Gjatë apeleve për ndihmë ndaj qeverisë, kryefjala e kërkesave të biznesit ka qenë heqja e sistemit të pagave referuese për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.


Aplikimi i saj është kundërshtuar vazhdimisht nga bizneset, të cilët e kanë cilësuar atë si një masë frenuese që qeveria ka marrë ndaj tyre dhe se në shumicën e rasteve niveli i pagave referuese është më i lartë se sa paga që paguhen punonjësit.


"Hapin më të fundit të qeverisë, specialistë të ndryshëm e lidhin me vendimin për uljen me 5 për qind të masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore që punëdhënësit duhet të paguajnë për punonjësit."


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›