E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i Azem Hajdarit përsëri para togave të zeza, të enjten

Gjykata e Shkallës së Parë
Tiranë ka caktuar datën
21 maj të këtij viti për
fillimin e procesit gjyqësor
ndaj Jaho Salihit, i akuzuar së
fundi, për vrasje të dyfishtë në
Tropojë. Tropojani do të rigjykohet
për dosjen e vrasjes së shtetasve
Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, në
vitin 1999 në Tropojë. Salihi ndodhet
në burg pasi është dënuar me
burg përjetë për vrasjen e deputetit
Azem Hajdari, më 12 shtator
të vitit 1998 në Tiranë. Dosja u
regjistrua në gjykatë para disa
ditësh dhe do të shqyrtohet nga
një trup gjykues nën drejtimin e
gjyqtarit Petrit Çomo. Vendimi për
rigjykimin e çështjes ndaj Salihit u
mor pak kohë më parë nga Gjykata
e Lartë, e cila konstatoi parregullsi
në shqyrtimin e saj në shkallët
më të ulëta të gjyqësorit. Gjykata e
Shkallës së Parë dhe më pas ajo e
Apelit e kishin shpallur fajtor dhe
dënuar me burg përjetë Jaho Salihin
(Mulosmani) për vrasjen me
armë zjarri të shtetasve Bislim
Hyka dhe Isuf Bashkurtit në vitin
1999 në qendër të Bajram Currit.
Sipas të dhënave hetimore, ngjarja
e rëndë kishte për motive hakmarrjen.
Pak ditë më parë, prokuroria
ka ridërguar në Gjykatën e Tiranës
dosjen penale ndaj Jaho Salihit,
i cili akuzohet për vrasjen e Bislim
Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Dosja
do të gjykohet nga gjyqtari Petrit
Çomo dhe mban "numrin 1179".
Jaho akuzohet nga prokuroria për
vrasje me paramendim dhe
regjistrimi i dosjes penale është
kryer në datën 21 prill të këtij viti.
Burime nga Prokuroria e Tiranës
thanë se ridërgimi i dosjes ka ardhur
si pasojë e shkeljeve që kanë
ndodhur në procesin e parë gjyqësor.
Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë
për gjykim dosjen e vrasjes së
Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit,
për të cilën Jaho Salihi ishte dënuar
me burg përjetë. Kolegji Penal
vërejti shkelje procedurale të kryera
në gjykim. Tropojani, i cili ka mbi
shpatulla edhe një dënim të përjetshëm
për vrasjen e Azem Hajdarit,
ishte dënuar përjetë për
vrasjen në vitin 1999 në qendër të
Bajram Currit të Bislim Hykës, vëllait
të drejtorit të Policisë së Kukësit,
Jonuz Hyka, dhe Isuf Bashkurtit.
Sipas gjykatës, krimi kishte
ndodhur për motive hakmarrjeje,
pasi Salihi dyshonte se pjesëtarë të
familjes Hyka po të njëjtën ditë
kishin vrarë mikun e tij të ngushtë,
Feriz Kërrnajën, dhe plagosur Fatmir
Haklajn. Për vrasjen e dyfishtë,
tropojani u dënua përjetë, por duke
mos qenë dakord me vendimin e
drejtësisë, ai iu drejtua Gjykatës së
Lartë. Gjatë shqyrtimit të dosjes,
Kolegji Penal ka vërejtur shkelje të
shumta procedurale të kryera në
gjykim dhe për pasojë ka vendosur
ta rikthejë dosjen nga e para.
Kështu, gjyqi ndaj Salihit për
vrasjen e dyfishtë do të nisë nga e
para. Vrasja për të cilën akuzohet
Jaho Salihi ndodhi më 4 gusht
1999, në fshatin Cërrnicë të
Tropojës. Gjatë një atentati me
mina të telekomanduara vritet
Halil Haklaj e Feriz Kërrnaja, ndërsa
mbetën të plagosur Fatmir Haklaj
(tashmë i vdekur) dhe Fatmir
Daka. Një orë pas këtij krimi të
rëndë, në qendër të qytetit, në
vendin e quajtur "Rrethi i Policit",
qëllohen për vdekje Bislim Hyka
dhe Isuf Bashkurti. Dyshimet për
këtë ngjarje ranë menjëherë mbi
Jaho Salihin, në atë kohë shef i rendit
në Komisariatin e Tropojës.
Duket se Salihi bënte përgjegjës
njerëzit e shefit të policisë së
Kukësit, Jonuz Hyka për vrasjen e
Halil Haklajt e Feriz Kërrnajës dhe
për hakmarrje i vret të vëllain. Pak
orë pas kësaj ngjarjeje, Salihi përfundon
në pranga si i dyshuar
kryesor për vrasjen e deputetit të
PD-së, Azem Hajdari, vrasje për të
cilën është dënuar me burgim të
përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›