Leskaj: “Qeveria të përshpejtojë realizimin e reformave”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka përshëndetur nismat e reja të shpallura nga zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Barrot dhe nga komisionari për Zgjerimin Olli Rehn për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një konferencë për shtyp, Leskaj tha se qeveria shqiptare duhet të angazhohet seriozisht për të plotësuar detyrat dhe reformat, nga të cilat varet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. ”PS-ja dhe Grupi i saj Parlamentar kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme për integrimin e vendit, në kryerjen e reformave, sidomos atë në Drejtësi dhe reformën zgjedhore ndaj dhe ka shprehur jo vetëm vullnetin, por ka dhënë kontributin e saj konkret në realizimin e këtyre reformave. Duke gjykuar se me miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor procesi i reformave në drejtësi sa ka nisur, por jo përfunduar, ne besojmë se ky proces do të vazhdojë, me të njëjtat ritme dhe frymë si një reformë shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, si kusht i ripërsëritur edhe në deklaratën e fundit të Brukselit. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar i bën thirrje qeverisë për përshpejtimin e punës për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar duke krijuar kushtet e nevojshme për regjimin e vizave që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë”, - tha Leskaj.
Ndoka: ”Gruaja të jetë pjesë e vendimmarrjes së vendit”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, zhvilloi ditën e djeshme një takim me Forumin e Gruas Demokristiane me rastin e 7 dhe 8 Marsit. Gjatë këtij takimi Ndoka përshëndeti gratë demokristiane dhe u uroi ditën e tyre. Ministri i Shëndetësisë tha njëkohësisht se tashmë ka ardhur koha që në Shqipëri të respektohet dhe të vlerësohet statusi i gruas në shoqëri. “Në vendet Perëndimore, ku mbizotëron kristiandemokracia, nuk kuptohet zhvillimi dhe ecuria e shoqërisë pa rolin e gruas. Gruaja duhet të shikohet si një partnere me të cilën duhet të bashkëpunosh dhe jo të diskriminosh. Ne, demokristianët kemi dhënë kontributin tonë dhe mua personalisht më vjen mirë që salla jonë është plot me gra që besojnë në vlerat Perëndimore dhe kanë ambicien për t’i hyrë politikës. Në PDK jeni të mirëpritura të gjitha”, - tha Ndoka. Ai përshëndeti nismën e kryeministrit Berisha për një parlament me 30 për qind gra. Më tej ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, u shpreh se në vendin tonë duhet të bëhet më shumë me aktivizimin e gruas në jetën publike.
8 Mars 2008