Vrasësi i gruas: Isha i dehur, nuk mbaj mend asgjë
Shpëtim Zhllima, personi që dy ditë më parë vrau me thikë gruan e tij, nuk mban mend asgjë nga momenti kur ndodhi krimi. Ai është marrë në pyetje ditën e djeshme nga hetuesit, ku është pyetur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së diel. Vetë 41-vjeçari ka deklaruar se “nuk kujtoj asgjë nga momenti kur ka ndodhur ngjarja. Kam qenë nën efektin e pijes dhe s’mbaj mend se si ka nisur sherri dhe se pse kam bërë atë veprim”. Sipas burimeve nga policia, 40-vjeçari kishte qenë me të vëllanë përpara se të kthehej në shtëpi, ku dhe kishte pirë disa gota alkool. Më pas, Zhllima i është drejtuar banesës, ku dhe ka nisur sherri me bashkëshorten e tij, Nafije, nënë e dy fëmijëve. Motivi i kësaj vrasjeje ka qenë një sherr për motive xhelozie.
Autori ishte në gjendje të dehur dhe pas një debati me të shoqen, Nafijen, e ka qëlluar atë pesë herë me thikë në trup, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Edhe pse ndaj viktimës është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar atë në spital, plagët e marra kanë bërë që ajo të mos arrinte që të mbijetonte. Më pas, autori ka qëlluar edhe veten me thikë, duke u plagosur. Megjithatë, ai është çuar në spital, ku pas ndërhyrjes së mjekëve, ka arritur që të shpëtojë nga vdekja. Ngjarja ndodhi në orën 02:00 të së dielës në zonën e Nish-Tullës pranë Spitalit Ushtarak. Autori Shpëtim Zhllima ka shkuar në shtëpinë e tij në gjendje të dehur. Aty ai ka filluar që të debatojë me bashkëshorten e tij, Nafijen. Debati midis tyre është nxehur dhe të dy kanë folur me tonë të ashpra. Më pas, dyzetvjeçari ka shkuar në kuzhinë ku ka marrë thikën e bukës dhe me të ka qëlluar gruan e tij. Goditjet e kanë prekur atë në kurriz, pastaj në qafë dhe më pas në bark, duke i shkaktuar vdekjen. Prerja në qafë ka prekur arterien kryesore të gjakut, duke bërë që nëna e dy fëmijëve të humbë jetën si pasojë e humbjes së gjakut. Më pas 40-vjeçari i penduar është vetëplagosur me thikë. Ai ka qëlluar dy herë trupin e tij, në përpjekje për të vrarë veten. Por ai është çuar në Spitalin Ushtarak, ku pas ndërhyrjes së mjekëve ka arritur që të shpëtojë.