E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i gruas, policia: E kapim për dy ditë

 

VLORE - Vrasësi i bashkëshortes në fshatin Armen të Vlorës vijon të jetë i lirë. Policia bëri të ditur dje se ka nisur kërkimet duke krehur jo vetëm fshatin Armen, por edhe zonat e thella në brendësi të pyjeve e luginave, nga fshati Treblovë e deri në Selenicë. Sipas policisë, në sajë të hetimeve dhe sinjaleve të siguruara në rrugë operative, ata kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e 40-vjeçarit Maksim Hodaj. Të enjten ai masakroi nënën e tre fëmijëve të tij, Luljeta Hodaj. “Nëse informacionet që kemi siguruar na rezultojnë të sakta, atëherë autori i krimit do të arrestohet brenda dy ditëve”, bënë të ditur burime të policisë. Blutë kanë kryer kontrolle në të gjitha stanet e zonës, por edhe në banesa të të afërmve, ku dyshohet se ai mund të strehohet. Gjithashtu, janë ngritur postblloqe në të gjitha pikat dalëse të fshatit Armen, qytetit të Vlorës si dhe rrethe të afërta. Policia i ka kërkuar ndihmë edhe komisariateve nëpër rrethe, duke i bashkangjitur informacionit për Hodajn edhe fotografinë e tij. Ka dyshime se i kërkuari mund të jetë strehuar edhe në qytet, ndaj janë marrë masa për kontrolle intensive edhe në pikat kufitare për të penguar arratinë jashtë kufijve.                               q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›