E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për fabrikën, 2 arrestohen

 

FUSHE KRUJE - Protesta për ndotjen e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë përfundon dhunshëm ndërmjet banorëve e policisë. Dy persona u arrestuan dje, pasi ata përdorën dhunë karshi bluve, ndër të cilët edhe shefin e rendit të Fushë-Krujës, komisar Agron Brahaj. Merit Ndoci, 43 vjeç dhe Pëllumb Loci, 35 vjeç, u ndaluan mbrëmjen e së enjtes pas protestës së tyre, ndërsa dje policia iu komunikoi atyre arrestimin për tre akuza, për protestën e paligjshme, kundërshtimit të policisë dhe pengimin e qarkullimit të makinave. Protesta u zhvillua të enjten para portës së fabrikës. Policia, e pasinjalizuar më parë nga banorët, e quajti të paligjshme këtë protestë dhe iu bëri thirrje atyre të shpërndaheshin. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ata jo vetëm që nuk reaguan ndaj thirrjeve të tyre, por madje filluan të kundërshtonin dhunshëm efektivat e komisariatit, duke arritur deri në dëmtime trupore të efektivave. Banorët e fshatit Zallë pohojnë se si rezultat i ndotjes nga fabrika, jo vetëm po iu dëmtohen prodhimet bujqësore, por po shfaqen tek ata edhe probleme shëndetësore.        r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›