Eficenca e energjisë, UNDP aktivitet me gjimnazistët
“Planeti Yt ka nevojë për TY”. Kjo ishte motoja e aktivitetit të organizuar dje nga UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe ambjentalistët e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”. Nga sa u bë me dije gjatë takimit, raporti i fundit i OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike ka konfirmuar ngrohjen globale, e cila ndikon në aktivitetin njerëzor dhe jetën sociale – ekonomike. Ndikimi i ndryshimeve klimatike në Shqipëri pritet të shfaqet me ngritje të temperaturës, pakësim të sasisë së reshjeve dhe rritje të nivelit të detit. Në qoftë se nuk merren masa në kohë, ky ndikim mund të çojë në vonimin e progresit që po bën vendi ynë në arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit. Në këtë kontekst ky aktivitet synoi të rrisë ndërgjegjësimin përmes masave për eficiencën e energjisë, ndër të cilat është përzgjedhur zëvendësimi i llambave jo eficiente me ato eficiente (fluoreshente), që konsumojnë rreth 80 për qind më pak energji.