Kërcënohet në zyrë kryekomunari i Fierzës
PUKE – Kërcënohet në zyrën e tij kryetari i komunës së Fierzës, Nikë Nika. Kanë qenë orët e para të punës kur ditën e djeshme një banor i zonës ka hyrë forcërisht brenda. Shan Frroku, sipas dëshmitarëve dhe policisë, ka depërtuar brenda zyrës së kryekomunarit dhe i inatosur ka shpërthyer në një lumë sharjesh e kërcënimesh ndaj Nikës. Madje ka tentuar që të shkaktojë dhe dëmtime në zyrë. Në fakt kërcënime të tilla të Frrokut në drejtim të kryetarit Nika pohohet se ka pasur dhe herë të tjera, por jo në këtë formë. I alarmuar për situatën e krijuar dhe për incidentin e ndodhur në një kohë kur administrata ishte në punë dhe shumë banorë po kryenin veprimet për marrjen e kartave të identitetit kryetari i komunë ka urdhëruar mbylljen e zyrave të komunës dhe pezullimin e punës. Menjëherë është njoftuar dhe policia e Pukës, e cila me forca të shumta të drejtuara nga vetë shefi i komisariatit Gjin Lesi, ka mbërritur në vendngjarje. Ata ndaluan agresorin dhe bënë të mundur rifillimin e punës në administratën e komunës. Ndërkohë Nikë Nika ka bërë depozitimin e padisë në prokurorinë e rrethit të Pukës për kërcënimin ndaj tij prej Shan Frrokut. Prokuroria ka nisur çështjen penale në ngarkim të Frrokut me akuzën e kërcënimit të personave zyrtarë, për shkak të detyrës. Si argument për këtë agresion në komunë i ndaluari ka paraqitur mosgjetjen në listat e votimeve të emrit të vëllait të tij dhe për këtë arsye ka hyrë brutalisht në zyrën e kryetarit, duke mos i dhënë mundësi këtij të fundit as të bëjë sqarimet e duhura. Frroku njihej më parë dhe si person problematik dhe me precedentë penalë, pasi ishte dënuar dy herë më parë me burg me akuzën e vjedhjes. Kryetari i komunës Nikë Nikaj drejton komunën prej dy vjet e gjysmë dhe është i pavarur. Në komunën e thellë me shumë probleme social-ekonomike, ai njihet dhe respektohet nga banorët. j.h