E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matematika, pasnesër “ngujohen” hartuesit

 

Pasnesër ngujohen 20 specialistët që do të hartojnë testin final të matematikes. Ata do të qëndrojnë në mjediset e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve deri në mëngjesin e datës 11 qershor. Vetëm pasi të ketë nisur provimi në të gjithë shkollat e vendit, ata do të mund të dalin nga “izolimi”. Janë rreth 38 mijë maturantë që do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyrueshëm. Specialistët pasi të përzgjedhin tezat për 7 profilet e shkollave do t’i shumëfishojnë ato. Më pas, një natë para nisjes së privimit, do të nisë shpërndarja e tyre sipas grafikut të përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Zonat më të thella do të jenë ato që do të tërheqin të parat kutitë e vulosura. Burime nga AVA konfirmojnë se lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet do të hartohen teste në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipe të ndryshme shkollash. Testi i matematikës do të ketë 25 pyetje, të cilat do të vlerësohen maksimalisht me 50 pikë. Pas provimeve të detyruara dhe afishimit të rezultateve të tyre, në fund të qershorit do të publikohet formulari A2. Me anë të tij, kandidatët do të zgjedhin 10 degët ku do të konkurrojnë për në shkollë të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›