E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushimet në prag, ja plazhet e ndotura me fekale

 

zirina llambro

Plazhe të ndotura tej normave, edhe pse fluksi i pushuesve nuk është në pikun e tij. Me gjithë optimizmin e ministrit Xhuveli dje në ditën botërore të mjedisit, situata nuk është fort premtuese. Është bërë apel për mbjellje pemësh, ndonëse nuk është instaluar asnjë impiant i vetëm i përpunimit të ujërave të zeza. Ato prej vitesh derdhen në det, duke e kthyer bregdetin tonë  sidomos gjatë verës në një vatër të vërtetë infeksionesh. Gjithçka e kanë provuar mbi kurriz qindra pushues, të cilët pas plazhit e kanë parë veten në dyert e spitaleve. Burime zyrtare nga Ministria e Mjedisit pohojnë se janë rreth 120 milionë euro investime që do të pajisin me impiantet e nevojshme, 470 km lineare të vijës bregdetare shqiptare. Por asnjë përgjigje konkrete nuk mund të marrësh për afatin e përfundimit të këtyre investimeve. Pikat më të nxehta mbeten Durrësi e Vlora. Por harta e plazheve të ndotura është goxha më e gjerë. Sipas monitorimit të fundit të ISHP,nga analizat mikrobiologjike ka rezultuar se ndotja prej fekaleve e tejkalon disa herë normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Zonat më të ndotura në bregdetin e Durrësit janë plazhi te Plepat, Shkëmbi i Kavajës dhe Currilat”, sqarojnë specialistët. Krahas tyre, uji ka ngarkesë të madhe mikrobesh e bakteresh edhe në zonën nga Bërryli deri te Vollga. Ndotja është në nivele të larta  në plazhin e vjetër në Vlorë pranë shkollës së marinës. Alarmante është gjendja në zonën e Pyllit të Sodës, ku vetëm disa ditë më parë uji është ndotur tërësisht nga dhjetëra ton nafte të derdhura aty. Hartës së plazheve të ndotura i shtohet edhe Saranda. Në zonën e Plazhit të Ri, ujërat e zeza derdhen në det. Sipas specialistëve, edhe në Shëngjin në disa zona deti është i ndotur me fekale. Niveli i ndotjes është rritur edhe në plazhin e Velipojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›