E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursa, rritet çmimi i naftës arrin në 70 USD fuçia

 

Rritet sërish çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare. Dje një fuçi naftë u kuotua me 70 dollarë, nivel ky më i lartë i gjashtë muajve të fundit. Sipas mediave të huaja, investitorët kanë argumentuar se raporti i fundit i punësimit të qeverisë ishte një tregues i përmirësimit të situatës në ekonominë amerikane. Sipas CNN, çmimet u ngritën në 70.32 dollarë për fuçi menjëherë pas raportit. Nafta bruto u tregtua me 16 cent më shumë, në 68.97 dollarë për fuçi, pas rënies në më pak se 67.54 dollarë. Tregu i naftës duket se i vë shumë rëndësi ekonomisë amerikane, konsumatori më i madh në botë. Edhe forcimi i dollarit ka ndikuar në çmimin e naftës. Dollari dje ka qenë më i fortë në krahasim me monedhat e tjera të mëdha. Euro ka humbur 1.2 për qind kundrejt dollarit, dhe paundi u ul me 1 për qind kundrejt dollarit. Ndërsa dollari u rrit 1.7 për qind kundrejt jenit japonez. Dollari më i fortë ‘peshon’ edhe çmimin e naftës sepse dollari përdoret si monedhë për naftën në të gjithë globin dhe kur dollari forcohet, nafta bëhet më e kushtueshme në monedhat e tjera. Sipas mediave të huaja, ndikim ka pasur edhe një raport “Goldman Sachs” që ka rritur synimin 3-mujor naftën, në 75 dollarë për fuçi nga 52 dollarë për fuçi. Në fund të 2009-ës çmimi i naftës parashikohet të arrijë 85 dollarë për fuçi dhe në 2010  do të vlerësohet me 95 dollarë për fuçi. PO ashtu edhe çmimi i gazit është rritur dhe pritet të pësojë të tjera rritje. Luhatjet e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare reflektohen edhe në tregun vendas. Kjo për vetë konjukturën që ka tregu vendas, ku mbi 90 për qind e nevojave të vendit për konsum plotësohen nga importi. Vetëm pak ditë më parë, çmimi i karburanteve në vend pësoi një rritje me 5 lekë litri, dhe sipas tregtarëve shkak për këtë rritje ishte shtrenjtimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›