E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni i ndërtimit nën akuzë për kontratën 15 mijë dollarë

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj pronarit të firmës “Inert”, pas denoncimit të një qytetari. Ky i fundit pretendon se ka paguar 15 mijë dollarë si këst për shtëpinë, pa mundur ta përfitojë atë

Tiranë Një ndërtues nga Tirana rrezikon të përballet me akuzën e mashtrimit dhe kanosjes ndaj një prej klientëve të tij, që pretendon se është mashtruar për një shtëpi banimi. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet ndaj Halil M., përfaqësuesi i një kompanie ndërtimi, ndaj të cilit është bërë një kallëzim penal për mashtrim dhe kanosje. Pak ditë më parë, një qytetar e ka denoncuar se ndërtuesi në fjalë po e mashtron prej disa vitesh për një shtëpi banimi, edhe pse ai i ka paguar një shumë të konsiderueshme parash. Kallëzimi penal është bërë në policinë e Tiranës, e cila pas verifikimeve të para e ka përcjellë çështjen në prokurori për hetime të mëtejshme. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se në datën 26 gusht, një qytetar me inicialet P.B. është paraqitur në ambientet e policisë dhe ka depozituar një kallëzim penal ndaj përfaqësuesit të kompanisë së ndërtimit “Inert”. Sipas kallëzimit të P.B., rezulton se ai është mashtruar dhe kanosur nga përfaqësuesi i firmës së ndërtimit, i cili duhet të realizonte një kontratë mes tyre që bën fjalë për blerjen e një shtëpie banimi nga ana e kallëzuesit. Historia nis në vitin 2003, kur P.B. dhe ndërtuesi Halil M. lidhin mes tyre një akt-marrëveshje për blerjen e një apartamenti banimi në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet, në një prej pallatet e ndërtuara nga kompania e të kallëzuarit. Si fillim, kallëzuesi pretendon se i ka dhënë ndërtuesit në fjalë shumën prej 15 mijë dollarë. Në pritje të përfundimit të pallatit, ai është sistemuar përkohësisht nga vetë ndërtuesi në një tjetër banesë që ndodhet po në këtë rrugë. Në kallëzimin penal, P.B. pretendon se edhe pse kanë kaluar rreth 8 vjet nga lidhja e akt-marrëveshjes, ai nuk ka mundur të pajiset me shtëpi banimi edhe pse kishte paguar një pjesë të parave. Por pavarësisht këtij fakti, kallëzuesi pretendon se muajin e fundit ai është kërcënuar nga ndërtuesi për të dalë nga shtëpia ku po qëndron përkohësisht. Kallëzuesi ka deklaruar se për një muaj me radhë, Halil M. e ka kanosur, madje i ka kërkuar gati dhe me forcë të lërë shtëpinë provizore, por njëkohësisht nuk i është përmbajtur akt-marrëveshjes për dhënien e shtëpisë së banimit. Po ashtu, ndërtuesi, sipas kallëzuesit, nuk ka pranuar t’i kthejë as shumën prej 15 mijë dollarë që ai ka paguar në vitin 2003. Pasi kanë marrë kallëzimin, oficerët kundër krimit ekonomik kanë tentuar të marrin kontakt me të kallëzuarin, por deri ditën e djeshme ata nuk kanë arritur të takojnë përfaqësuesin e kompanisë së ndërtimit Halil M. Burimet thanë se materialet për këtë çështje, bashkangjitur kallëzimin penal dhe një kopje të akt-marrëveshjes, i janë përcjellë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës. Biznesmeni i ndërtimit dyshohet paraprakisht për mashtrim, lidhur me mospërmbushjen e kontratës që ai kishte lidhur me qytetarin P.B. në vitin 2003 dhe kanosje të kryer ndaj tij. Këto dyshime mësohet se janë në fazë verifikimi nga ana e policisë, e cila nuk ka arritur të dëgjojë pretendimet e palës së paditur, me të cilin nuk është marrë ende kontakt. Ajo që konfirmohet ka të bëjë me nisjen e hetimeve ndaj Halim M., i cili rezulton të jetë banor i rrugës “5 maji” në kryeqytet dhe përfaqësues i kompanisë së ndërtimit “Inert”. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›