E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasësi" i major Ilir Ngresit kërkon rigjykim

Personi i akuzuar për vrasjen e ish- komisarit të Beratit dhe Vlorës kërkon proces të ri pasi është dënuar në mungesë


Kastriot Jaupi, është dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm në mungesë dhe për këtë shkak kërkon rigjykim


TIRANË- Kastriot Jaupi, i njohur si atentatori i major Ilir Ngresit, ish- shefit të krimeve të Beratit dhe Vlorës, dhe i dënuar për këtë krim me burgim të përjetshëm, si dhe kundërshtari dhe atentatori i Altin Dardhës, kërkon të rigjykohet sërish.


Vetëm tetë muaj pas ekstradimit të tij nga Spanja, ku kishte vuajtur dënimin me 7 vjet burg për "gjobëvënien" ndaj dy shqiptarëve, ai i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë, që dosja e tij të rigjykohet nga e para. Shkak për këtë kërkesë, sipas avokatit, është se klienti i tij, Kastriot Jaupi, është dënuar në korrik të 2003 nga Gjykata e Vlorës me "burgim të përjetshëm".


Ky vendim është dhënë në mungesë ndaj tij, dhe është pikërisht ky shkaku i kërkesës për rigjykimin e tij. Sipas kërkesës penale që do të shqyrtohet pasditen e 17 qershorit nga treshja gjykuese e Gjykatës së Lartë e drejtuar nga gjyqtari Spiro Spiro, i dënuari kërkon që dosja e tij të rishikohet duke i kërkuar Kolegjit Penal të kësaj gjykate ta kalojë çështjen për rigjykim pranë Gjykatës së Apelit.


Sipas kërkesës, Kastriot Jaupi i lindur në Berat më 1975, është gjykuar në mungesë pranë gjykatës së Vlorës, e cila me vendimin me numër 143, të 4 korrikut 2003, e ka dënuar atë me "burgim të përjetshëm" për krimin e "vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese" në bashkëpunim; "vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë po në bashkëpunim dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".


Këto vepra penale Jaupi, sipas vendimit, i ka kryer kundrejt major Ilir Ngresit në shtator të vitit 2000 ku si pasojë ish-shefi i Krimeve të Beratit mbeti i plagosur.


Në dhjetor po të këtij viti, major Ngresi nuk mundi t'i shpëtonte atentatit, duke mbetur i vdekur me një sërë plumbash në trup në qendër të Vlorës.


Bashkë me Jaupin në atentatin e vrasjes së major Ngresit, dyshohej se ishte edhe i shpallur në kërkim Dritan Zhuka në atë kohë. Zhuka u vra në Berat nga forcat e policisë dhe sipas versionit të saj ai mbeti i vdekur në një shkëmbim zjarri.


Pas krimit, ndaj Ngresit dy atentatorët mundën të largohen duke iu shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit, në bashkëpunim me prokurorinë zbardhën ngjarjen duke i identifikuar dy atentatorët, dosjen e të cilëve e dorëzuan pranë Gjykatës së Vlorës, që i dënoi në mungesë me burgim maksimal.


Jaupi, edhe pse mundi t'i ikte policisë shqiptare, ai u arrestua në Madrid në tetor të 2001 pas një denoncimi për "gjobëvënie" të dy biznesmenëve shqiptarë nga qyteti i Skraparit me banim në Spanjë. Për këtë vepër penale, Jaupi u dënua atje me 9 vite burg, për tu liruar pas vuajtjes së dënimit në fund të shtatë viteve izolim në qelitë spanjolle.


Ai u ekstradua në Shqipëri në tetor të vitit 2008 për të vuajtur dënimin me "burgim të përjetshëm" dhënë nga Gjykata e Vlorës. Gjithashtu, në "garë" për ekstradimin e Jaupit, përveç kërkesës së Shqipërisë e cila u pranua, autoriteteve spanjolle i ishte drejtuar edhe Prokuroria e Milanos së Italisë, pasi në shtetin fqinjë ishte provuar se ka konsumuar veprat penale të "trafikut të lëndëve narkotike.


Ndërkaq, që nga 20 tetori i 2008, beratasi Kastriot Jaupi ndodhet i izoluar në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tij për rigjykim edhe njëherë.

Atentati për hakmarrje kundër majorit Ngresi


TIRANË- Sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës, hakmarrja e Kastriot Jaupit ka filluar që nga dita e vrasjes së vëllait të tij, shtetasit Ilir Jaupi gjatë një përleshjeje me policinë në vitin 1997.


Për vdekjen e të vëllait të tij Ilir Jaupit, Kastrioti kishte akuzuar ish- shefin e krimeve, Ilir Ngresin. Pas vdekjes së të vëllait, Jaupi thuajse ka ndjekur këmba-këmbës majorin për të gjetur momentin për vrasjen e tij.


Pas tre viteve përcjellje dhe kërcënime të ndryshme, Jaupi organizoi më 7 shtator të vitit 2000 një atentat ndaj Ngresit, i cili po udhëtonte me një koleg të tij, që falë kundër reagimit të tij të shpejtë i shpëtoi vrasjes duke mbetur vetëm i plagosur me një plumb.


Por, edhe përkundër kërkesave të majorit për siguri nga shteti, ajo nuk i erdhi asnjëherë dhe ai u përball sërish me atentatorin, mesditën e 30 dhjetorit të vitit 2000 ku nuk i shpëtoi dot breshërisë së plumbave dhe gjeti vdekjen.


Vrasja e Ngresit u krye në një lokal në qendër të Vlorës, nga dora e Jaupit dhe shokut të tij, shtetasit Dritan Zhuka.


Sipas vendimit, në drejtim të Ngresit por nga pas shpine ka shkuar fillimisht Dritan Zhuka kurse Kastriot Jaupi ka qëndruar pas cepit të lokalit dhe në momentin që Zhuka u afrua rreth 2 metra larg tavolinës, pas shpinës se oficerit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.


Majori u përpoq të kundërvihej me armën që mbante në brez, por nuk mundi pasi plagët e marra i shkaktuan vdekjen.


Atentati ndaj Altin Dardhës


TIRANË- Kastriot Jaupi, me të vëllanë, Ilirin, më 24 korrik të vitit 1997 plagosën në një atentat ish-mikun e tyre, Altin Dardha. Ishte koha kur ndarja e zonave të influencës si dhe përfitimet nga gjobat dhe vjedhjet futën në luftë pjesëtarët e bandës së Altin Dardhës me njëri-tjetrin.


Breshëritë e plumbave të lëshuara nga një mitraloz i lehtë dhe kallashnikov në "Kadillakun" ngjyrë vishnje, "sharruan" mikun e ngushtë të Dardhës, Gazmend Cufe, si dhe katër pjesëtarë të bandës së tij.


Altin Dardha plagoset me një plumb në qafë. Pas tetë muajsh, Dardha, mbi të cilin rëndonin rreth 60 vrasje, do të eliminonte kapon e bandës rivale të Vakëfit, Burhan Tomorrin, i njohur me nofkën "Bujo", vëllanë e këtij, Abdurrahim Tomorri, Behar Eskiu e Kastriot Bejko, ndërsa mbetën të plagosur Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti.


Dhe Altin Dardha do ta çonte në 100 numrin e të vrarëve nga dora e tij, siç kishte premtuar, nëse vrasës me pagesë nuk do ta eliminonin dhe digjnin në Greqi, më 28 shkurt 1998.


Datat
24.07.1997


Ilir dhe Kastriot Jaupi ishin personat që plagosen në një atentat ish-mikun e tyre Altin Dardhën


07.09.2000


Kastriot Jaupi i zë pritë Ilir Ngresit dhe shoferit të tij, por, duke e lënë vetëm të plagosur

30.12.2000


Dritan Zhuka ishte i autorizuar nga Kastriot Jaupi për ekzekutimin e Ilir Ngresit në qytetin e Vlorës

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›