E Diel, 1 Nëntor 2026

Manovra që shpëtoi Dondollakun nga burgu i përjetshëm

14/06/2009  Enver Dondollaku, krahu i djathtë i Aldo Bares, dënohet me 25 vjet burg, bëri 4 vrasje

Si mundi nr. 2 i bandës së Lushnjës dhe avokati të ulte disa vite nga dënimi

Për t’i shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm Enver Dondollaku nëpërmjet avokatit të tij Vladimir Meçi bëri manovër. Kërkoi veçimin e çështjes nga baroni i tij, i cili u pranua nga gjykata, më pas pranoi gjykim të shkurtuar. Pikërisht gjykimi i shkurtuar e dënoi dje Dondollakun me 25 vjet burg. Ndërsa disa kohë më parë, prokurori kërkoi për të burgim të përjetshëm. Është legjislacioni shqiptar ai që ka shpëtuar Dondollakun nga burgu i përjetshëm. Dje trupi gjykues lexoi vendimin përfundimtar të Dondollakut, i cili është duke vuajtur një dënim të dhënë nga drejtësia italiane. Sipas vendimit të lexuar dje nga gjykata, i pandehuri në mungesë Enver Dondollaku ka marrë pjesë si ekzekutor në pesë vrasje dhe një plagosje, të kryera këto në kuadër të "bandës" së Lushnjës, po në këtë qytet. "Pas hetimeve disavjeçare dhe procesit gjyqësor, ku çështja ndaj Enver Dondollakut është ndarë nga katër të pandehurit e tjerë, Dritan Vila, Maksim Çela, Erion Cici dhe Petrit Liçi, është faktuar dhe vërtetuar me anë të dëshmive dhe provave të mbledhura, se i pandehuri Dondollaku gjatë vitit 1999-2003 ka marrë pjesë si ekzekutor në 5 vrasje dhe një plagosje të kryer në kuadër të "bandës" së Lushnjës. Për kryerjen e këtyre veprave të rënda penale, kërkojmë nga trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda dënimin e tij me burgim të përjetshëm",- tha gjykata në vendim. Por gjykata iu referua edhe provave të tjera.

Ulja e dënimit

Më tej trupi gjykues ka qenë i bindur në dhënien e vendimit për vet faktin se të gjitha ngjarjet e cilësuara kriminale në dosje nuk janë kundërshtuar nga pala mbrojtëse edhe pse në fjalën e saj e mbrojti duke mos e quajtur krahë të djathtë, por thjeshtë viktimë. Me pranimin e gjykimit të shkurtuar, i pandehuri përfitoi uljen e 1/3 së dënimit, dhe përfundimisht i bie të vuajë në qeli për 25 vjetët e ardhshme. Sipas gjykatës, Dondollaku duhet të deklarohet fajtor pasi është vërtetuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale të "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës", ku mbeti i vrarë Klenti Bano, ish-oficer krimesh në Lushnjë. Neni 406 përcakton qartë se : (Ndryshuar pika "1" me ligjin 8813, datë 13.6.2002). Kur jep vendim dënimi, gjykata e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me njëzet e pesë vjet burgim.

Akuzat e palës italiane

Dondollaku i dënuar me 16 vjet burg në Itali

Enver Dondollaku është dënuar në Itali me 16 vjet heqje lirie për trafikimin e lëndëve narkotike. Drejtësia italiane dënon krahun e djathtë të Aldo Bares, Enver Dondollakun, me 16 vjet e 8 muaj burg. Mbi të rëndon akuza e "trafikimit të lëndëve narkotike" dhe është cilësuar si kreu i njërës prej bandave që vepronin aty. Sakaq, si përgjegjës për bandën tjetër që operonte në Itali, Edmond Bego është dënuar në mungesë me 18 vjet e 5 muaj burg. Prokuroria italiane disponon disa nga përgjimet e telefonatave mes Dondollakut dhe shefit të tij, Albo Bares, por edhe me Edmond Begon, të cilët koordinoheshin për të trafikuar heroinën nga brigjet e Durrësit për në Itali. Bazuar në këto prova, gjykata e Torinos e ka dënuar Enver Dondollakun për veprën penale të "aktivitetit të paligjshëm" në Itali dhe "trafikim të lëndëve narkotike". Ndërsa personi tjetër, Edmond Bego, është dënuar në mungesë për të njëjtat vepra penale. E ndërsa është dënuar në Itali Dondollaku nuk ka pranuar t’i bindet drejtësisë shqiptare për t’u gjykuar në vendin e tij. Ai është shprehur se nuk i beson gjykatave shqiptare dhe se asnjëherë nuk do të vij në vendin e tij për të vuajtur dënimin.

Krijimi e aktiviteti ndër vite

Veçantia e strukturës së bandës së Lushnjë

Kreu i kësaj bande dihet tashmë që është Aldo Bare. Ndërkohë që grumbullimi ka filluar që në vitin 1997, vit kur është vrarë vëllai i Bares. Më pas rreth tij janë grumbulluar persona, të cilët u bënë të besuar. Fillimisht, në bandën e Lushnjës, sipas burimeve të organit qendror të akuzës, mësohet se morën pjesë të pandehurit Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij, Ramadan Shkurtit, të vrarë. Të gjithë personat që kanë marrë pjesë në bandën e Lushnjës i drejtoheshin drejtuesit Aldo Bares, me nofkat të tilla si, "I madhi", "Profesori", "Kryetari". Disiplina e fortë në këtë grup dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm, por përkundrazi, ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale, si rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.

Aldo Bare, kapoja dhe bëmat

Shkëlqimi i një bosi dhe “ushtrisë” së tij

Aldo Bare quhet Alfred Shkurti. Është nga qyteti i Lushnjës dhe ka punuar si polic në këtë qytet. Por vrasja e vëllait të tij Ramadan Shkurti në vitin 1997 do ta bënte tmerrin e qytetit dhe të zonave përreth. Mblodhi rreth vetes persona të integritet të ulët dhe pa shkollë. Killer me pagesë. Kështu Dritan Vila është person i paguar nga Bare për të eliminuar ata njerëz që ai piketonte. Aktualisht ndodhet në Ankara i arrestuar për llogari të vendit tonë. Bare asnjëherë nuk ka dalë vet në skenë, por për llogari të tij kanë punuar “ushtarët”, të cilët i bindeshin verbërisht. Tashmë që ndodhet i arrestuar, Bare është duke bërë të gjitha përpjekjet për të mos u kthyer në vend. Ndërkohë që mbi të rëndojnë të gjitha vrasjet barbare të kryera në Lushnjë. Ka vrarë pa mëshirë. Të gjitha me një urdhër në telefon. Ndërsa më pas ka privatizuar çfarë ka dashur. Gjithçka i ka bërë me anë të forcës dhe kërcënimeve. Të gjithë kërcënonin nduke përdorur emrin e tij.

Nisja e konfliktit, krijimi i bandës, disa nga vrasjet dhe disiplina e zbatuar

Konkluzionet e plota të Prokurorisë për bandën e Lushnjës

Mes të tjerave në këto konkluzione thuhej se “Nga tërësia e akteve rezulton se Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar në datë 07.02.2006 procedimin penal me nr. 15. Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti), Arben Borici, Enver Borici, Ilir Stergu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj. Regjistrimi i procedimit penal me nr 15 është bërë pas shpalljes së moskompetencës lëndore të datës 31.01.2006 nga ana e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lushnjë të procedimit penal me nr 22 të vitit 2006 të kësaj Prokurorie dhe kalimit të akteve Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë. Në datë 17.04.2007 është bërë ndarja e procedimit penal nr. 15 të vitit 2006 me procedimin nr 15/4. Ndarja është bërë për arsye se për të pandehurit Arben Borici, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Alico, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina kishin përfunduar hetimet në lidhje me akuzat e ngritura. Procedimi penal nr 15/4 është regjistruar në emër të të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Alico, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina. Ky procedim penal është dërguar për gjykim në datë 17.04.2007. Nga provat e marra nga hetimi paraprak i çështjes rezulton e provuar se në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja. Kur janë afruar disa metra i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Në verandën e lokalit nën shoqërimin e shtetasit Artur Daja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i te pandehurit Aldo Bare) dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Për këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja. Pas vrasjes të vëllait të tij i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën bandë e Lushnjës. Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Borici, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë. Pikërisht në këtë periudhë me datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Borici, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar. Nga provat e gjykimit rezulton se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bares me nofkat të tilla si: “I madhi”, “Profesori”, “Kryetari” e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›