E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasësi" i adoleshentit kërkohej për vjedhje

Meta dyshohej në bazë të gjurmëve për vjedhjen e një lokali në Dajt, prokuroria nuk firmosi arrestin

TIRANE- Personi i arrestuar për vrasjen e një adoleshenti në kryeqytet të mërkurën, ka qenë i dyshuar për një tjetër vjedhje të kryer më 13 maj të këtij viti, ndërsa për të policisë nuk i është dhënë urdhri i ndalimit nga prokuroria ndonëse ndaj tij kishte prova shkencore. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët kanë pohuar dje se autori i dyshuar i vrasjes së Jeton Ferhatit, në rrugën e Durrësit, ishte identifikuar prej tyre për një vjedhje të ndodhur në një lokal në malin e Dajtit.

Sipas të njëjtave burime, personi i arrestuar vetëm një ditë pas vrasjes së Ferhatit, ishte zbuluar nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve të administruara nga ekspertët në një vendngjarje në një lokal në Malin e Dajtit, ku ishin vjedhur një televizor plazma dhe disa pajisje të tjetra të lokalit. Pikërisht për këtë shkak, në bazë të përgjigjes së krahasimit të gjurmëve daktiloskopike të gjetura në vendin e ngjarjes nga ekspertët si dhe atyre që ndodheshin në bazën e të dhënave të Policisë Shkencore, hetuesit e policisë kanë kërkuar një urdhër ndalimi për Elvis Metën. Identifikimi i autorit nga policia është kryer në fund të muajit, ndërsa javën e kaluar ajo është bërë e ditur edhe në komunikatën e saj të zakonshme.


Ai kërkohej të ndalohej nga policia në cilësinë e personit të dyshuar për vjedhjen e lokalit, ndërsa për këtë ishin edhe provat shkencore në duart e policisë që i ishin referuar organit të akuzës. Gjithsesi kërkesa e departamentit të Hetimit të Krimeve të Drejtorisë së Policisë, ka rënë në vesh të shurdhër për shkak se prokurori që hetonte këtë çështje nuk firmosi urdhrin e arrestit të kërkuar nga oficerët e krimeve. Kjo kërkesë i është përsëritur së paku edhe dy herë të tjera nga Seksioni i Hetimit të Krimeve, prokurorisë së Tiranës dhe prokurorit që hetonte çështjen, por sërish nuk ka mbërritur ndonjë përgjigje. Në të kundërt të këtij fakti, policia ka kërkuar së paku një mandat për ndalimin e njeriut që sapo kishin zbuluar se kishte kryer një krim.


Kjo sipas tyre argumentohej edhe me faktin se 24- vjeçari Meta, ishte i skeduar nga ana e specialistëve të policisë kriminale si person me tendencë të krimeve ndaj pronës. Në fund edhe mandati për kontroll apo për ndalimin e Metës, nuk është nënshkruar nga prokurori përkatës që hetonte çështjen. Ndërkaq prokurori që heton rastin e vjedhjes së lokalit në Dajt, ngjarje për të cilën është identifikuar Meta, nuk ka preferuar të japë një reagim mbi rastin. Vetëm pak ditë më vonë pas kërkesës së fundit nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, për një urdhër arresti për Metën, ndodhi ngjarja e rëndë në rrugën e Durrësit. Një javë pas një grindjeje mes tij dhe vëllait të tij me Jeton Ferhatin për një motor, vëllezërit Meta e thirrën nga lokali ku ai ndodhej dhe më pas e qëlluan me thikë në brinjë dhe në zemër duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›