Trafiku nga Maqedonia, droga përpunohej në Elbasan
Ish- ftubollisti Gjika dhe Bebi, u kapën nga policia në momentin që trazonin drogën me përzierësin
Sollën nga Maqedonia 9 kg drogë, shkojnë në gjyq 4 persona nga Elbasani të pandehur me akuzën e trafikut në bashkëpunim
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të katër shokëve elbasanlli të cilët trafikuan nga Maqedonia rreth 9 kg drogë me destinacion tregun e brendshëm. Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët konfirmuan se prokurorët Adnan Xholi e Besnik Muçi kanë zbardhur rrjetin e trafikut të drogës nga Maqedonia në Elbasan.
Këtu malli përpunohej dhe më pas shitej nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se është provuar se të pandehurit Nikel Dimo e Bexhet Hidri kanë kryer veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim, duke sjellë nga Maqedonia në Elbasan rreth 5.500 gram heroinë. Ndërsa, të pandehurit Gjergji Gjika dhe Thanas Bebi, sipas prokurorisë, kanë konsumuar krimin e "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike" dhe "Mbajtjes së substancave kimike" në bashkëpunim. Në momentin e arrestimit, atyre iu janë gjetur e sekuestruar 2.8 kg heroinë, 415 gram kokainë dhe 455 gram përzierës. Sipas kërkesës për gjykim, që mban numrin e procedimit 3 për vitin 2009, "gjatë fazës hetimore është arritur të provohet mbi bazën e provave të grumbulluara se të katër të pandehurit Dimo, Hidri, Gjika e Bebi, banorë të Elbasanit, janë shokë të vjetër mes tyre, kryenin aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, - thuhet në dosje. I pandehuri Nikel Dimo, nga organi i akuzës është cilësuar si organizatori i këtij rrjeti të trafikut të drogës, pasi me10 janar 2009 ka organizuar "miqtë" e tij në Maqedoni për t'i sjellë një sasi prej 5.5 kg heroinë në Shqipëri.
"Shitësit" nga Maqedonia pasi kanë hyrë në territorin shqiptar janë takuar me të pandehurin Dimo dhe Hidri në afërsi të fshatit Piskupat ku janë futur në një nënkalim treni dhe kanë bërë shkëmbimin e drogës me lekët. "Pasi kanë marrë drogën, e cila është futur në makinën taksi të tipit "Benz" me targë EL 643 A e të pandehurit Bexhet Hidri, është nisur për në drejtim të Elbasanit, duke u ndjekur 500 metra pas nga organizatori i këtij trafiku, Nikel Dimo me makinën e tij "Mercedez- Benz" me targa EL 5933 B. "Në dalje të qytetit të Librazhdit, policia kishte ngritur një postbllok me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pasi kanë ndalur e kontrolluar mjetin që drejtohej nga taksisti Bexhet Hidri janë gjetur e sekuestruar në bagazhin e saj tetë pako të mbështjella me natriban, si dhe dy qese të vogla me peshë totale 5.4 kg heroinë. Hidri është arrestuar aty, e brenda pak minutave është kapur edhe Nikel Dimo në ambientet e një lokali në krah të rrugës kombëtare Përrenjas- Librazhd,- thuhet në dosje.
Sasia e drogës, sipas akuzës, kishte destinacion Elbasanin, në një magazinë në ish-parkun e qytetit me pronësi të të pandehurit Thanas Bebi. Aty dyshohej se droga e ardhur nga Maqedonia do të përzihej, paketohej e më pas shitej në tregun e brendshëm. "Pas arrestimit të Hidrit dhe Dimos, prokuroria ka urdhëruar shoqërimin e shtetasve Thanas Bebi dhe ish-futbollistin e Elbasanit Gjergji Gjika, si dhe kontrollin e magazinës ku dy të pandehurit po "punonin". "Në momentin e arrestimit të Gjikës dhe Bebit në magazinën që ndodhet në krahun verior të ish-parkut të Elbasanit, u gjetën të dy të pandehurit të ulur në një tavolinë, tek përzienin dhe paketonin lëndën narkotike. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 415 gram kokainë, 2.8 kile heroinë dhe 455 gram përzierës, të cilat janë administruar në cilësinë e provës materiale,- thuhet në kërkesën për gjykim.
Dosja pas mbërritjes në Gjykatë dhe pas hedhjes së dosjes në short, elektronik, është caktuar pesëshja gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Fran Prendi, për të shqyrtuar këtë dosje gjyqësore.
Akuzat
Nikel Dimo, "Trafikim të lëndëve narkotike" në bashkëpunim
Bexhet Hidri, "Trafikim të lëndëve narkotike" në bashkëpunim
Gjergji Gjika, "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike" dhe "Mbajtjes së substancave kimike" në bashkëpunim
Thanas Bebi, "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike" dhe "Mbajtjes së substancave kimike" në bashkëpunim