Vrasësit e 28 qershorit
Pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, Partia Socialiste dhe lideri i saj akuzuan 20 mijë komisionerët socialistë se ishin korruptuar nga PD-ja e Sali Berishës dhe kishin firmosur procesverbalet pa asnjë vërejtje. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që PS kërkon hapjen e kutive dhe vënien e drejtësisë në vend.
Që socialistët mund të korruptohen, kjo nuk është diçka e re, por për dallim nga KPD-ja e famshme, kur lideri socialist i asaj kohe akuzonte vetëm disa krerë partiakë, risi e kësaj partie që pretendon se është këndellur, është se ata jo vetëm që nuk janë përmirësuar për katër vjet në opozitë, por sot kemi dhjetëra mijëra të përzgjedhur socialistë të korruptuar. Pas kësaj akuze, të gjithë heshtën dhe kur sot këta të përzgjedhur socialistë akuzohen për vdekjen e zgjedhjeve të 28 qershorit çfarë kuptimi ka autopsia?!
Korrupsion deri në vdekje
Blerja e komisionerëve, kjo shpikje socialiste e vitit 2001, kishte konfirmuar manipulimin e sofistikuar të komunistëve që nëse për asgjë tjetër, janë ustallarë për zgjedhje dhe përcaktimin paraprak të rezultatit të tyre. Në atë kohë, lideri demokrat kishte një mal me dëshmi, por korruptimi i komisionerëve nuk u përmend, sepse në njëfarë mënyre kjo ishte edhe dobësi e PD-së që nuk arriti të përzgjidhte njerëzit e saj besnikë për ruajtjen e votës.
Lideri i ri socialist, i cili nuk shquhet për ndonjë ndershmëri në respektimin e votës popullore, arriti të hartonte një kod zgjedhor për të cilin u bënë shumë vërejtje nga ana e LSI-së dhe partive të vogla, por ishte harruar edhe kleçka e “blerjes së komisionerëve”. Për këtë pjesë të procesit zgjedhor shqiptar nuk u mendua fare, madje as edhe ndonjë dënim drastik, i cili do të frenonte oreksin socialist për t’u pasuruar edhe me një firmë të vetme mbi procesverbal. Në zgjedhjet e 28 qershorit, ky lëshim do t’i kushtonte shumë PS-së, madje do t’i kthehet edhe si rrufe-bumerang.
Edhe pas katër vjetësh opozitë, me lider dhe kod të ri zgjedhor, Partia Socialiste pëson humbje. Në shikim të parë, nuk ishte edhe ndonjë hata e madhe, sepse kjo ishte parashikuar nga të gjithë ata që njohin gjuhën e shifrës dhe përqindjen komuniste të elektoratit shqiptar, i cili nuk mund të ketë fuqinë e duhur nëse i mungon edhe vota e LSI-së. Meqë kjo e fundit ishte injoruar tej mase nga partia amë dhe mbi të u bë një diversion i qartë elektoral, asaj nuk i mbeti gjë tjetër vetëm se të bënte koalicion paszgjedhor me Partinë Demokratike, që kishte shumicën. Ndërkohë, PS, e indinjuar nga kjo përzgjedhje, filloi të kërkonte arsyen e humbjes!
Në situatën e krijuar, kur edhe OSBE/ODIHR-i thekson në raport se kishte shkelje, por jo edhe dëshmi, PS vuri gishtin mbi komisionerët e saj që kishin firmosur procesverbalet e humbjes ose sot, të vdekjes se zgjedhjeve. Pas lançimit të kësaj akuze të rëndë dhe kërkesës për hapjen e kutive pikërisht për këtë shkak, të gjithë josocialistët menduan se do të pasonte një reagim i ashpër i komisionerëve për ta çuar nderin deri në vend. Fillimisht, pas llogarisë së mbrapshtë të Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij për hapjen e kutive, 20 mijë komisionerët socialistë nuk reaguan ndaj akuzës për korrupsion. Reagimi i munguar sqarohej me faktin se lideri socialist ishte sqaruar me “të korruptuarit” se kjo ishte vetëm politikë, por nuk u sqarua edhe se si duhet trajtuar kjo dobësi socialiste për ruajtjen e votës, që shkakton edhe vdekje.
Kështu, me një kod të ri ideal zgjedhor, siç u quajt nga PD dhe PS, por me struktura të kalbura socialiste, Partia Socialiste detyrohet të kërkojë hapjen e kutive dhe të ruajë rreth vetes elektoratin besnik, i cili mund ta gëlltitë korruptimin e komisionerëve, por jo edhe fitoren e sërishme të Sali Berishës.
Autopsia! Pse?!
Sot kur kemi 20 mijë komisionerë socialistë të korruptuar për vdekjen e zgjedhjeve dhe kur ata nuk i përgjigjen një akuze kaq të rëndë, demokratët lirshëm edhe mund të mburren që arritën të korruptonin një ushtri komuniste me një grusht lekësh.
Kujt i duhet autopsia?! Komisionerëve socialistë jo, se nuk ankohen dhe e pranojnë vdekjen, demokratët nuk kanë ndonjë vërejtje, sepse kanë fituar, ndërsa PS-së i ngelet vetëm organizimi i një ceremonie mortore të zgjedhjeve të humbura dhe tashmë edhe të vdekura, shkakun e së cilës vdekje asnjëra palë nuk e konteston, edhe pse ka dalë nga goja e vetë socialistëve.
Madje, humbjes dhe akuzave absurde, Edi Rama dhe kryesia e PS-së duhet vetëm t’i turpërohen, sepse nuk ishin në gjendje të përzgjidhnin në mesin e tyre as rojet e votës dhe në anën tjetër, nesër pretendojnë të përcaktojnë rojet e administratës shtetërore. Nëse njerëzit e tyre blihen vetëm për një procesverbal të një qendre votimi, çfarë do të bëjnë ata nëse kanë në dorë fatin e Shqipërisë?! Nëse KPD-ja e Partisë Socialiste nuk i ka thënë të gjitha, atëherë më mirë është që ajo të vazhdojë punimet, të akuzuarit të largohen nga skena politike, sepse politikanët e korruptuar kanë vartës të korruptuar dhe ata sot janë kudo dhe nuk shuhen me kode zgjedhore ose duke hapur kutitë.