Stërvitjet në “Skënder Halili”
Kombëtarja zhvilloi dje në kompleksin “Skënder Halili” në orën 10.00 ditën e dytë të stërvitjeve, në kuadër të përballjeve me Suedinë e Maltën. Para fillimit të seancës 60- minuteshe, trajneri Ari Han zhvilloi një bisedë të shkurtër me Armend Dallkun e Debatik Currin, të cilët nuk ishin në seancën stërvitore të ditës së parë. Portieri Isli Hidi punoi me trajnerin e portierëve De Bree. Agolli, Salihi, Berisha, Bogdani, Lila, Vangjeli, Beqiri, Teli, Vrapi, Hyka, Skela, Lala, Cana, Kapllani, Bulku, Curri e Dallku punuan me trajnerët Ari Han e Teo De Jong. Fillimisht veprime të lira me top, ku shiheshin krosimet e Ervin Skelës nga krahët për Kapllanin e Bogdanin, ndërsa më pas një ushtrim “xhokeri” me të gjithë lojtarët në një zonë të vogël 25x25 m me pasime te shkurtra e sa më pak kontakte me topin. Stërvitja e pasdites në stadiumin “Selman Stërmasi” u zhvillua me dyer të mbyllura”.