E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër në Durrës, 3 të vrarë

 Masakër në një lokal në Durrës. Afër mesnatës së djeshme, një person i armatosur me automatik dhe me kapuç në kokë qëlloi për vdekje tre persona. Xhaxha e nip, pronarë të lokalit dhe një klient i rastit, u bënë shënjestër e breshërisë së plumbave. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen 9 të Durrësit, në zonën e njohur si ish-rruga e gëlqeres. Autori mësohet se është afruar me një motor para lokalit, që shërbente dhe si pikë bastesh sportive dhe më pas ka zbritur prej andej me një çantë. Ai është futur brenda ambienteve, ku ndodheshin disa klientë, duke qëlluar me breshëri në drejtim të tavolinës ku ndodhej 44-vjeçari Luan Curri, nipi i tij, Andi Curri, 19 vjeç dhe një fqinj, Emdond Shemsi, 40 vjeç me profesion inxhinier, pronar i një firme ndërtimi. Plumbat kanë lënë të vdekur në vend të tre personat, ndërsa nuk janë regjistruar të lënduar të tjerë. Të paktët dëshmitarë thanë se autori është larguar menjëherë, me anë të motorit që kishte jashtë lokalit, duke shfrytëzuar errësirën dhe kohën e keqe me shi. Ata kanë lajmëruar policinë, e cila me urgjencë ka mbërritur në vendin e ekzekutimit të trefishtë. Me shpejtësi ata kanë rrethuar zonën. Një pjesë e ekspertëve të policisë kriminale kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku janë evidentuar rreth 17 gëzhoja të një arme automatike. Forca të shumta të policisë së Durrësit janë shpërndarë në ndjekje të autorit, duke ngritur postblloqe në pikat kyçe të qytetit. Pas identifikimit të shpejtë të viktimave po punohet për të gjetur shkaqet që sollën në këtë masakër në mes të një prej lagjeve të vjetra të qytetit. Për policinë, mbiemri Curri është i njohur për disa ngjarje. Sipas burimeve mësohet se një vëlla i Luan Currit është ekzekutuar pas një grindjeje në një prej lokaleve të zonës Durrës-Shijak, ndërsa vetë viktima rezulton se ka qenë i akuzuar nga një e re për veprën penale të përdhunimit, madje i dënuar në vitin 2004 me 10 vjet heqje lirie. Këto ishin të dhënat e para të grupit hetimor, të cilët mbrëmë nuk arritën të saktësonin se cili ishte objekti i atentatit. Grupi i punës ka marrë në pyetje familjarët e viktimave për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe për të çuar në identifikimin e autorit. Ndonëse mbrëmë ishin shoqëruar dy persona në polici, nuk konfirmohet lidhja e tyre me vrasjen. Në vendngjarje policia bllokoi dhe një çantë, e cila mendohet se ka pasur brenda automatikun e autorit. Vendi ku ndodhi krimi ndodhet pak metra larg shtëpisë së të penduarit të Bandës së Durrësit, Adriatik Coli. Por, policia deklaroi dje se nuk ka lidhje krimi i mbrëmshëm me veprimtarinë e kësaj bande famëkeqe në qytetin e Durrësit.viktimat

Luan Curri, 44 vjeç
Andi Curri, 19 vjeç
Edmond Shemsi, 40 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›