E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, dëshmitarët e avokatëve mohojnë akuzat



TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje dëshminë e një efektivi të RENEA-s,i cili ka marrë pjesë në arrestimin e anëtarit të bandës së Lushnjës Afrim Hoxha. Dëshmia e policit A.E. u mor me dyer të mbyllura, gjatë seancës së djeshme në ngarkim të të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Rexhep Gina. Dëshmitari pohoi se ka marrë pjesë në operacionin për arrestimin e Afrim Hoxhës në Lushnjë. "Ishim njoftuar që më parë dhe unë bashkë me kolegët shkuam në lagjen e tij dhe pas sinjalit ndërhymë gabimisht në një banesë tjetër. Brenda pak çastesh na sinjalizuan se ishim ngatërruar dhe korrigjuam operacionin duke ndërhyrë në banesën e Hoxhës. Aty gjetëm Afrimin, i cili nuk bëri asnjë lloj rezistence. E arrestuam dhe e sollëm në Tiranë", tha dëshmitari,i cili u pyet më tej nëse ishte gjetur një "Kallashnikov" me të cilin Hoxha kishte bërë rezistencë në momentin e arrestimit, ashtu siç pretendon organi i prokurorisë. "Flas me përgjegjësi të plotë që nuk është e vërtetë. Nuk kam parë armë. Më vonë nga bisedat me kolegët kam dëgjuar që një koleg yni, pjesëmarrës në operacion, kishte gjetur një pistoletë aty. Por edhe kjo nuk është e vërtetë", pohoi dëshmitari. Pas tij gjatë seancës së djeshme u pyet dëshmitari Xheladin Nurça, pronar i lokal "Blerimi". Ai tha se ditën që u vra Xhevdet Demiri në Lushnjë, në gusht të vitit 1997, i kishte kërkuar Afrim Hoxha që ta shoqëronte në Durrës me makinë pasi do priste vëllanë që vinte nga Italia. "Prita në port derisa erdhi i vëllai, me dy orë vonesë, pasi trageti u vonua. Pas kësaj së bashku me vëllanë e tij erdhëm me makinën time në Lushnjë. Poshtë "Blerimit" pamë shumë policë dhe na thanë se ishte vrarë Xhevdet Demiri. Afrimi më pas ka qenë gjithë kohës me mua dhe të vëllanë, për drekë dhe darkë", përfundoi dëshmitari duke shfajësuar Hoxhën nga kjo akuzë. Më tej u pyet edhe një mësues në qytetin e Lushnjës, i cili shfajësoi të pandehurin Rexhep Gina për plagosjen e dëshmitarit Arben Kicja. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›