E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasje mafioze pranë liqenit të Farkës

 

Dashamir Biçaku

Një person që dyshohet të jetë taksist, është ekzekutuar në mënyrë mafioze në afërsi të liqenit të Farkës në Tiranë. Viktima që dyshohet se i përket 44-vjeçarit Ramazan Hyka, sipas hetuesve është qëlluar fillimisht me një plumb në kokë dhe më pas është vendosur në një makinë, të cilës i është vënë flaka bashkë me kufomën. Makina, ashtu sikurse trupi i viktimës, kanë qenë tej mase të dëmtuara nga djegia, megjithatë sipas të dhënave për makinën dhe verifikimeve të kufomës, besohet se personi i ekzekutuar është Ramazan Hyka, 44 vjeç. Ditët e fundit ai ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij, që i kanë pohuar policisë se 44-vjeçari nuk gjendej prej disa ditësh. Ngjarja duket se e ka vendosur policinë e Tiranës para një hetimi të vështirë, të paktën në momentet e para të tij, pasi duket se mungojnë gjurmët në vendin e krimit, por edhe dëshmitarët për mënyrën e vrasjes.
Ngjarja
Kufoma është gjetur dje rreth orës 16:40. Disa banorë të zonës kanë parë makinën e djegur dhe më pas kanë lajmëruar policinë. Efektivat blu sapo shkuan në vendin e ngjarjes, konstatuan se në makinën e shkrumbuar ndodhej trupi i një personi të vrarë. Sipas dyshimeve të para, taksisti është rrëmbyer mbrëmjen e të mërkurës vonë, kohë në të cilën nuk i është përgjigjur familjes së tij në telefon. Policia tha se viktima është vrarë me armë zjarri e më pas është futur në automjet, ku edhe është djegur duke u vendosur në bagazh. Emri i taksistit është hedhur si mundësi nga hetuesit, duke qenë se familja e tij ka denoncuar dje në orët e para të mëngjesit zhdukjen e Ramazan Hykës, 44 vjeç. Sipas hetuesve, edhe mjeti i djegur i markës "Mercedez-Benz" 190, në bagazhin e të cilit ndodhej viktima, dyshohet se ishte në pronësi të Ramazan Hykës. Sipas të dhënave nga hetimi, para djegies makina dyshohet se ka pasur ngjyrë të bardhë, e cila është zhdukur e gjitha nga flakët.
Hetimi
Dyshimet e hetuesve për shkakun e vrasjes janë drejtuar në dy pista kryesore, në atë të vrasjes për shkaqe personale për ndonjë konflikt, që sipas policisë viktima nuk e kishte deklaruar. Pista e dytë për hetuesit është ajo e një grabitjeje të mundshme të viktimës, i cili duket se ka kundërshtuar ose është ekzekutuar nga grabitësit që kanë dashur të shmangin rrezikun e padisë në polici. Kjo pistë, sipas hetuesve, është hedhur me argumentin se viktima mund t'i ketë njohur grabitësit dhe si rrjedhim mund të dëshmonte emrat e tyre. Dje në mbrëmje oficerët e krimeve të Komisariatit nr. 1 dhe Zyrës së Krimeve ndaj Personit, kanë shoqëruar disa persona që mendohet se kanë lidhje dhe njohje me viktimën. Ndërkaq familjes së tij nuk i është pohuar dyshimi se personi i vrarë mund të ishte njeriu i tyre, pra dyshimi se viktima e Liqenit të Farkës mund të jetë taksisti i zhdukur dy net më parë.
Vendngjarja
Ekspertët që kanë mbërritur në vendin ku është vrarë e djegur viktima, e kanë pasur të pamundur të kryejnë dje veprimet hetimore, për shkak se errësira kishte nisur të binte, ndërsa kushtet atmosferike me shi e bënin të pamundur realizimin e fiksimit të provave. Specialistët e policisë kanë mbajtur në vendin e ngjarjes një procesverbal formal të konstatimit të vendit të krimit me një përshkrim të vendit, kufomës, makinës dhe gjithçka mund të shihej me sy dhe me ndihmën e ndriçuesve elektrikë. Në fund krerët e policisë kanë vendosur që këqyrja të kryhej gjatë ditës së sotme në kushtet e ndriçimit natyral, ku mund të vihen re më shumë prova.

Vajza e panjohur u ekzekutua pranë liqenit të Zall-Herrit

TIRANE - Në tetor 2006, policia e kryeqytetit u njoftua se në rezervuarin e fshatit Zall-Herr, rreth 4 km në veri të Tiranës, ishte gjetur një trup i copëtuar. Disa fëmijë kishin konstatuar faktin dhe më pas kanë lajmëruar menjëherë më të rriturit për pjesët e trupit, që në fillim iu ishin dukur si gjymtyrët e një kukulle të hedhur në liqen. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur dhjetëra efektivë policie, me qëllim verifikimin e informacionit të dhënë në sallën operative nga banorët e zonës. Në sipërfaqen e rezervuarit, policia gjeti copa të ndryshme të një trupi, që nga konstatimi i kryer rezultonte se ishte i një vajze apo gruaje. Nga veprimet e kryera në vendin e ngjarjes, policia konstatoi se trupi ishte copëtuar në disa pjesë me mjete prerëse të posaçme dhe më pas mund të ishte futur në një kuti me të cilën mund të ishte hedhur në liqen. Zhytësit e RENEA-s gjetën disa nga copat e tjera të trupit. Përpjekjet e krerëve të Policisë së Tiranës për të identifikuar femrën ishin të pafundme. Për "kokën" e autorit policia vuri një shpërblim prej 100 milionë lekësh, por kjo nuk dha shumë rezultat. Ndërsa për ekzaminimin e vajzës u krijua një grup i posaçëm me disa specialistë, ndërsa ekspertë të FBI-së e morën trupin në SHBA për veprime tepër të specializuara. Identifikimi i saj mbeti edhe sot e kësaj dite enigmë, ndërsa policia malazeze rreth një vit e gjysmë më parë arrestoi si të dyshuar Smajl Tuljen, të dyshuar si vrasës maniak serial e madje edhe të ish-bashkëshortes së tij. I  dyshuari nuk rezultoi i implikuyar në këtë ngjarje ndërsa hetimet e policisë dhe Prokurorisë shqiptare nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes apo qoftë të përcaktojnë të dhëna lidhur me shkaqet e saj. 

Policia: Krime të tilla pa dëshmitarë
Zona në të cilën është vrarë viktima, që sipas policisë besohet se është taksisti i zhdukur prej dy ditësh nga familja e tij, apo edhe liqeni ku është hedhur vajza ende e paidentifikuar në Zall-Herr, konsiderohen si lokalitete ku vrasësit gjakftohtë veprojnë larg syve të dëshmitarëve dhe me mundësi të mëdha për zhdukjen e provave. Në zona të tilla qarkullimi i kalimtarëve që mund të shikojnë diçka të dyshimtë është i rrallë, veçanërisht në orët e natës.

Vendngjarja ruhet me efektiva policie
Një grup i gatshëm i policisë së Komisariatit nr. 1 është instaluar nga krerët e policisë në vendin e ngjarjes, menjëherë pas vendimit të marrë për kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme. Trupat e policisë janë urdhëruar që asnjë person të mos lejohet t'i afrohet vendit të ngjarjes, ndërsa personat që do të tentonin të afroheshin duheshin shoqëruar në ambientet e komisariatit ose të verifikoheshin.

Precedenti me taksistin tjetër Veli Mema
Më tepër se dy vite e gjysmë më parë, në verën e vitit 2006, taksisti Veli Mema u rrëmbye nga dy persona ende të panjohur dhe u gjet i vrarë një ditë më pas në afërsi të Kombinatit "Josif Pashko" në Tiranë. Më tepër së një vit e gjysmë më vonë, oficerët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve, e sapokrijuar në atë kohë, zbuluan se autorë të krimit ishin dy persona që kishin marrë taksi në qendër të Tiranës dhe kishin stisur rrugën deri ku ndodhi krimi për të grabitur viktimën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›