Olldashi letër Ramës: I gjejmë ne lekët e Unazës
Qeveria ka marrë përsipër të sigurojë vetë fondet për ndërtimin e unazës së madhe në kryeqytet, duke qenë se Bashkia e Tiranës ende nuk ka mundur t’i sigurojë ato.
Në një letër zyrtare drejtuar kryebashkiakut Rama, ministri Sokol Olldashi i ka kërkuar projektin e unazës së madhe. Ndërtimi i kësaj rruge është bërë objekt debati mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Letra
“Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për kryeqytetin ndërtimi i këtij aksi, duke vlerësuar dhe se pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës, ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe, në mënyrë që MPPTT me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj”, thuhet në letrën e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit drejtuar bashkisë së kryeqytetit.
Debati
Debati mbi realizimin e këtij projekti ka nisur pak ditë më parë, kur Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë shpalli fillimin e punës për Unazën e Madhe. Por pas kësaj reagoi Bashkia e Tiranës, sipas së cilës ky ishte një projekt që do të realizohej nga ajo vetë dhe jo nga qeveria. Ndërkohë pak ditë më parë në një deklaratë për mediat, ministri Olldashi e akuzoi Bashkinë e Tiranës për paaftësi. Madje, sipas tij, kryebashkiaku i Tiranës ka gënjyer mbi çështjen e shpronësimeve të Unazës së Madhe. Kjo pasi, sipas tij ministria ka marrë nga Bashkia kërkesën për shpronësim dhe në qershor të vitit 2008 kjo kërkesë zyrtarisht është miratuar nga MPPTT dhe jo vetëm që është miratuar, por ministria ka bërë edhe publikimin e emrave të pronarëve që shpronësohen si rezultat i ndërtimit të unazës. Ky proces nga ana e MPPTT është i përfunduar dhe mbetet vetëm për kalimin nga ana e Vendimit të Këshillit të Ministrave për të bërë pagesën e këtyre pronarëve. “Ne kemi patur në buxhetin shtesë që ka patur MPPTT në mesin e vitit të kaluar, shumën prej 2 miliardë lekësh të reja për të qenë kryesisht të destinuara për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës, vlera e të cilit shkon 1.2 miliardë lekë dhe këto lekë na është dashur t’i rialokojmë në fund të vitit te kapitulli I investimeve, për shkak se nuk u përdorën dot, nuk u përdorën dot për një arsye shumë të thjeshtë, që qëndron në themel të bllokimit të këtij projekti”, ka thënë në deklaratën e tij të dhënë pak ditë më parë ministri Olldashi.
Olldashi inspekton punimet e rrugëve në jug të vendit
Në qershor të këtij viti do të ketë përfunduar së ndërtuari segmenti rrugor Dhërmi-Qeparo-Sarandë. Me përfundimin e kësaj rruge pritet të përmirësohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve në jug të vendit gjatë sezonit turistik. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, së bashku me drejtorin e Rrugëve, Andi Toma, kanë inspektuar punimet në këto akse rrugore. Konkretisht aksi Qeparo–Sarandë me gjatësi 39 km dhe vlerë 2.1 miliardë lekë ka filluar të ndërtohet në të gjithë gjatësinë e vet. Gjithsej janë 5 Lote, 3 prej të cilave kanë përfunduar. Aksi nga Dhërmiu në Borsh me gjatësi 18 km dhe vlerë 1.8 miliardë lekë është i përbërë nga 3 Lote, 2 prej të cilave kanë përfunduar. Ndërkohë ka filluar puna edhe në 3 Lote të tjera. Një tjetër segment rrugor që ka nisur të ndërtohet në jug të vendit është ai Sarandë–Kranjë-Konispol–Qafë Bote, i cili ka një gjatësi 40 km dhe vlera e projektit arrin në 29 milionë euro. Ky projekt është një financim i qeverisë greke dhe asaj shqiptare. Puna në këtë aks ka filluar në 2 segmentet kryesore të tij dhe punimet përfundojnë në mars të vitit 2010.