Rukie Rama, jeta në dy kohë e personazhit real të Kadaresë
Ferdinand Dervishi
A e dini se vajza, historia e së cilës i shërbeu shkrimtarit Ismail Kadare si subjekt për të ndërtuar dramën “Natë me Hënë”, e njëjta femër e zhgënjyer e “certifikatës së virgjërisë”, është një personazh real? Po, jeton në Bruksel që nga viti 1993 dhe sot, 34 vite pas arrestimit dhe procesit të montuar nga Sigurimi i Shtetit, ka mbetur po e njëjta, një fabrikim i rrallë i modelit të vjetër “shpirtin nuk e shes”. Për më tepër, e dashuruar me mësimdhënien, vajza e Tropojës, që dikur epitetohej si “Drejtoresha e Kufirit”, për shkak se drejtoi deri në vitin 1974 disa shkolla në ekstremin verior të vendit, vazhdon të gjejë kënaqësinë e vetme të jetës pikërisht duke ushtruar të njëjtin profesion, mësimdhënien. Krejt pa publicitet, krejt pa kërkuar lëvdata, që nga viti 1994, Rukie Rama është ideatorja dhe zbatuesja e hapjes së shkollave shqipe në kryeqytetin belg dhe në rrethinat e tij për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të ardhur nga vise të ndryshme të kombit. Sot, e rrethuar nga dashamirës të cilët i ka përzgjedhur dhe shoshitur koha, thotë se nuk e ka vënë asnjëherë veten në rolin e Kontit të Montekristos, se i ka lënë dorë të lirë fatit të secilit që i shkatërroi jetën në moshën më të bukur, por bëhet gjithsesi keq nëse dikush merr guximin dhe i thotë të mos jetojë me të shkuarën. Një frazë që i prish qetësinë e betontë. Kjo sepse në mendje i është vlerësuar një shprehje e Sami Frashërit, i cili diku ka shkruar: “Mos i beso atij që është dhe pro dhe kundër teje. Ai është më i lig se çdo ligësi e botës”.
Historia që epiteton komunizmin
Që të kuptosh momentin e mësipërm mbase duhet të kesh mbi supe një moshë mbi të 40 vitet. Sepse vetëm një moshë e tillë arrin të bëjë dallimin e pasojave të aktualitetit, kur ish-kasapët e komunizmit jetojnë të paprekur mes shoqërisë së sotme dhe kur të përndjekurit e vërtetë të ndërgjegjes, ata që kaluan në burgje shumicën e rëndësishme të jetës, në të shumtën e rasteve, nuk janë përfillur nga e njëjta shoqëri që u ka shumë borxhe. Por cila është historia e vërtetë e njeriut Rukie Rama, që pas 17 vitesh demokraci bëhet keq kur ndesh, qoftë në dhe’ të huaj, ish-kasapët e jetës së saj? Imagjinoni një adoleshente që natyra e ka bërë të bukur në mendje dhe në paraqitje. Që jeton në malësinë e Tropojës, pranë Bjeshkëve të Sylbicës, që mbaron në dy vjet shkollën pedagogjike, të njëjtën që të tjerët e përfundonin në 4 vjet dhe që në moshën 16-vjeçare shënon notat e para në regjistër si mësuese, duke pasur përballë nxënës më të mëdhenj se vetja. Një vajzë që shkëlqen si drejtuese në aksionet e rinisë së kohës, që emërohet drejtoreshë dhe që në kohë rekord i kthente hauret e veriut të varfër në shkolla të këndshme, ku rrezet e dritës përplaseshin në bardhësi. Thjesht një margaritar që shkëlqen shumë në një mungesë të tillësh. Këtu nis edhe thërrmimi. Një oficer i Sigurimit të Shtetit, nga përfaqësuesit më të pështirë të pushtetit të kohës, shënjestron vajzën bukuroshe. Kishte qëlluar një nga ato mendje që te çdo femër e bukur nuk shohin më shumë se sa ndarja e shtratit. Por malësorja refuzon dhe përbuz. Pikërisht kjo përbuzje ndez hakmarrjen në mendjen e mashkullit. Një ditë të bukur Rukie Rama akuzohet si agjente e shërbimit të fshehtë Jugosllav dhe arrestohet. Një dëshmitar i montuar thotë në gjyq se ajo, në disa vite, ka qenë e dashura e tij dhe se si e tillë i ka besuar edhe të vërtetat e spiunazhit. Por në seancën e parë gjyqësore vajza bukuroshe shokon të gjithë me guximin: “Ai gënjen në gjithçka. Unë jam ende e virgjër”. Një zhvillim që tund opinionin e kohës dhe që dikur përfundon edhe në dramën e Kadaresë “Natë me Hënë”. Gjithsesi certifikata e pastër e virgjërisë nuk mund të hidhte nokaut përtokë një formacion aq të fuqishëm sa Sigurimi i Shtetit, që në kohë rekord fabrikon një tjetër dëshmitar të rremë, duke e mbyllur në burg vajzën nga Tropoja. Kështu Rukie Rama bën 7 vite burg, duke u munduar të kuptojë se përse ndodhi e gjithë kjo, se ku kishte gabuar, se gabimi nuk ishte i saj, se gabim nuk kishte fare…
Dashuria e vetme
Rukie Rama ishte një nga gjithsej 13 gratë që vuanin pas vitin 1974 burgun komunist si të dënuara të ndërgjegjes. E izoluar në Kuçovë, ajo për çudi të fatit, edhe në burg nuk shkëputet nga profesioni i mësueses. Vajza të burgosura, por që ishin në moshë të mitur, kishin nevojë për ndihmën e saj. Pra në shpirtin e të dënuarës, vetëm sepse ishte e bukur, në asnjë rast nuk u dëmtua të paktën dëshira për mësimdhënien. Një dhuratë e Zotit që duket edhe sot e mban gjallë shpirtin e tropojanes. E papikasur apo e pakëshilluar për t’u inkuadruar në shoqërinë demokratike të pas viteve 1990, Rukie Rama përfundon jashtë vendit, emigrante në Belgjikë. Duke biseduar me shqiptarë nga vise të ndryshme të kombit, lind ideja e mësimit të gjuhës shqipe fëmijëve të emigrantëve që edhe vetë nuk e njihnin gjuhën e kombit të tyre, pasi kishin lindur në Belgjikë. Sipas rrëfimit të vetë Rukie Ramës, fillimisht grupet u ndërtuan me fëmijë të emigrantëve të hershëm nga Kosova dhe viset shqiptare të Maqedonisë. Avantazh për të gjithashtu ka qenë edhe fakti se vinte nga Shqipëria dhe njihte mirë gjuhën letrare. Për fat të mirë emigrantët e hershëm shqiptarë sigurojnë leje nga autoritetet belge që mësimi të bëhej pasdite në ambientet e shkollave zyrtare. Kështu për Rukie Ramën jeta rinis. E apasionuar pas nxënësve, ajo përgatit programet e para mësimore në shqip, leksionet e gjuhës shqipe, gjeografisë së Shqipërisë etnike, të historisë së Shqipërisë etnike, muzikë e valle nga folklori shqiptar, gatime shqiptare… A nuk është kjo një dhuratë e Zotit, qoftë e vonuar. Ah, ja edhe një rrëfim i drejpërdrejtë i Rukie Ramës: “Ditën që u shpall pavarësia e Kosovës, fëmijët më bënë surprizën më të madhe të jetës. Po i prisja në klasë, kisha bërë një kafe dhe isha përhumbur në mendime, kur trokiti dera. Ishte një nga nxënëset që më mbylli sytë dhe më drejtoi nga hyrja. Kur dolëm në oborr dhe sytë i kisha të lirë, pashë të rreshtuara 14 makina të prindërve të nxënësve të mi, të gjitha të mbuluara me beze të kuqe dhe me flamuj kuq e zi në dritare. Edhe 14 nxënësit ishin të veshur me të kuqe. Më hipën në makinë dhe bëmë xhiro nëpër qytet duke u rënë borive…”
Kështu për Rukie Ramën kalojnë dhe vijnë në ndërkohën tonë 15 vite, dy herë më tepër se koha që kaloi në burg. Kujtimi më i mirë i të cilit ishin pikërisht letrat që i vinin nga ish-nxënësit e saj: “Ata i sfiduan Sigurimsat, duke më postuar letra nga qytete të ndryshme të vendit. I shkruanin me një mënyrë të padeshifrueshme, duke përdorur rregullin e treshit, që unë ua kisha mësuar dikur me shumë dëshirë…”