E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i minatorëve: Sërish në grevë urie

Këshilli sindikal i minatorëve të Bulqizës ka vendosur rifillimin e grevës së urisë para zyrave të ACR-së

BULQIZË-Minatorët e Bulqizës kanë vendosur dje që të rifillojnë një tjetër grevë urie, pas dështimeve të negociatave me kompaninë ACR. Ky vendim është marrë nga këshilli sindikal i minatorëve, me miratimin e 700 punëtorëve të minierës. 75 ditë më parë, minatorët braktisën frontet e tyre të punës dhe nisën protestat në rrugë e sheshe, në Bulqizë e Tiranë si dhe zhvilluan një grevë urie në thellësitë e nëntokës, e cila zgjati disa javë. Herë pas here, mes ACR-së dhe drejtuesve sindikalistë janë realizuar takime të ndryshme, ndërkohë që në asnjë rast palët nuk kanë rënë dakord me të gjitha pikat e draft-marrëveshjes. Një javë më pare, ACR kërcënoi minatorët se duhet të ktheheshin në vendet e tyre të punës, ndryshe do të largoheshin nga puna. Minatorët nuk iu bindën kësaj ftese dhe kompania e huaj, prej një jave, ka zgjedhur heshtjen. Të shqetësuar se kërkesat e tyre ekonomike nuk po hyjnë në rrugën e zgjidhjes, minatorët kanë vendosur që ditën e parë të javës së ardhshme ata të ngujohen në një tjetër grevë urie, në mjediset e ACR-së. Sipas presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve, Taf Koleci, janë të shumtë minatorët që kërkojnë të jenë pjesëmarrës në grevën e urisë që do të fillojë të hënën paradite në mjediset e ACR-së. “Është menduar që të paktën 10 minatorë të ngujohen në mjediset e ACR-së, ose në zyrat e minierës. Një variant tjetër është vendosja e një çadre në sheshin para zyrave të ACR-së” - tha Koleci për “Mapo”-n. Në këtë protestë nuk do të hyjnë ish-grevistët e nëntokës, por minatorë të profesioneve të ndryshme. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›