Bashkiakët shqiptarë nga 3 shtete mblidhen te tuneli
KUKES - Bashkia e Kukësit mbledh në tunelin e Kalimashit 40 pushtetarë vendorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në vizitën e tyre në këtë vepër u shpreh rëndësia që ka autostrada Durrës-Kukës, për të bashkuar ekonomikisht trojet shqiptare në Ballkan, kryesisht Shqipërinë me Kosovën si dhe rajonet shqiptare të Maqedonisë, pas një shekulli ndarjeje. Nga kryetarët e bashkive të Shqipërisë u nënvizua fakti që kjo rrugë nxit zhvillimin e vendit dhe hap mundësitë reale edhe për korridore të tjera, po kaq të rëndësishme në jug dhe në veri të vendit. Refik Rrugia, kryetar i Bashkisë së Kavajës dhe kryetar i shoqatës së bashkive, tha se kjo rrugë i bën shqiptarët të ndihen krenarë sepse u jep mundësinë të prekin realitetin dhe bukuritë e natyrës nga njëri skaj në tjetrin. "E sjell Kosovën, Maqedoninë, Kukësin dhe verilindjen më afër detit, turizmit, sjell të ardhura më të mëdha te shqiptarët, por nga ana tjetër na jep mundësinë të prekim Kosovën dhe Maqedoninë, ku përveç turizmit dhe biznesit shkëmbejmë edhe eksperiencat tona", tha Rrugia, duke shtuar se kjo autostradë është me të vërtetë një vepër e kombit. j.h