E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Bulqizës, konfliktet mes çiftit shkaktuan tragjedinë

Grupi hetimor del ne versionin përfundimtar për ngjarjen e rëndë që u shënua në orët e para të mëngjesit të së dielës në lagjen "Minatori" të qytetit të Bulqizës ku u gjete te vrare nje cift bashkeshortesh 

BULQIZE-Një histori dashurie ka përfunduar tragjikisht. Arjeta Domni (Bilali), 19-vjeçarja nga Shkodra që u gjet e vdekur në dhomën e gjumit, ka ekzekutuar bashkëshortin dhe më pas ka qëlluar veten me plumb në gojë. Ky është versioni përfundimtar i grupit hetimor për ngjarjen e rëndë që u shënua në orët e para të mëngjesit të së dielës në lagjen "Minatori" të qytetit të Bulqizës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Dibrës, dje bënë me dije se adoleshentja vrau të shoqin dhe më pas u vetëflijua, pas shumë konfliktesh që kanë shoqëruar që në fillim lidhjen e tyre. Hetuesit e çështjes pohojnë se rrëzohen të gjitha dyshimet se çifti Arjeta dhe Bledian Bilali mund të jenë ekzekutuar nga një person i tretë. Mësohet se trupi i pajetë i 19-vjeçares është dërguar për ekzaminim në Tiranë. Pas ekzaminimit ka rezultuar se nusja e re ka futur pistoletën në gojë dhe e ka shkrepur. Sipas ekspertëve, kjo konfirmohet nga fakti se viktima nuk ka pësuar dëmtime të dhëmbëve. Menjëherë pas konfirmimit të këtij fakti, policia ka vijuar hetimet për zbardhjen e motivit të ngjarjes. Burimet e mësipërme thonë se gjithçka ka marrë shkas nga lidhja problematike mes dy të rinjve. Sipas policisë, Arjeta Domni është rrëmbyer nga Bledian Bilali (njihej si person problematik). Familja e vajzës ka kundërshtuar këtë lidhje. Pas shumë tratativash është arritur që familjet Domni dhe Bilali të hynin e të dilnin tek njëra-tjetra. Ndonëse jetonin bashkë, deri vonë 25-vjeçari nuk kishte pranuar të celebronte martesën me Arjetën. Kjo ka indinjuar nusen, por dhe prindërit e saj. Falë presionit të ushtruar nga dy familjet, Blediani ka zyrtarizuar martesën. Ndërkohë, para një muaji Arjeta ka abortuar fëmijën në Shkodër, në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Dyshohet se konfliktet mes çiftit janë shtuar pasi Blediani është zhvendosur me banim në Bulqizë (ishte nip në këtë qytet). Mesa duket, 19-vjeçarja nuk ka qenë dakord që të jetonin në Bulqizë, në kushte të vështira ekonomike. Ndërsa po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasditen e djeshme dy të rinjtë u varrosën veç e veç nga familjarët e tyre.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›