E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Habazajt, hetuesit kthehen në vendin e krimit

 

Prokurorët e Vlorës kthehen në vendin ku u gjet i djegur pas masakrimit biznesmeni 39-vjeçar, Genci Habazaj. Grupi hetimor ka mbërritur dje në fshatin Bishan të Fierit, për të kryer veprime mbi gropën e gjetur të hapur disa metra larg vendit ku u ekzekutua viktima. Gjatë gjithë natës së të mërkurës deri mëngjesin e djeshëm, forca të policisë së Fierit u caktuan për të mbajtur në ruajtje zonën, me qëllim që askush, me dashje ose jo të prishë vendngjarjen. Nga ekspertët pritet të përcaktohet fillimisht nëse gropa është hapur nga autorët me qëllim fshehjen aty të trupit të biznesmenit apo për arsye të tjera. Të dhënat e deritanishme flasin se thellësia ishte rreth 30 cm, e hapur për të groposur aty biznesmenin e rrëmbyer mbrëmjen e 28 gushtit, duke humbur në këtë mënyrë çdo gjurmë të krimit. Toka ku është hapur gropa fillimisht ka qenë e butë, pastaj ka dalë tokë më e fortë. Mendohet se ky mund të ketë qenë shkaku i lënies përgjysmë të hapjes së gropës. Paraprakisht mendohet se gropa është hapur në momentin që kanë kryer vrasjen e 39-vjeçarit, por dalja e tokës së fortë ka dashur kohë për ta hapur. Në ato çaste mund të ketë pasur lëvizje të banorëve përreth, çobanëve apo automjeteve të tjera, çka mund t'i ketë detyruar autorët të linin punën e të vendosnin djegien e kufomës para se të zhdukeshin me shpejtësi. Në vendngjarje hetuesit kanë mbledhur lëndë të ndryshme, nga dheu, copa kallamishtesh që janë hequr ku është hapur gropa. Ato do t'i nënshtrohen ekspertimit nëse mbi to janë lënë gjurmë nga autorët. Gjithashtu, janë bllokuar dhe materiale të tjera, të cilat për arsye të hetimit nuk janë bërë të ditura nga prokuroria. Sipas organit të akuzës, në krimin ndaj Genci Habazajt kanë marrë pjesë më shumë se 2 persona. Mes tyre ka pasur të njohur të biznesmenit, të cilët kanë krijuar dhe kurthin. Ndonëse nuk është përcaktuar zyrtarisht koha e ekzekutimit, grupi hetimor dyshon se fillimisht, pas rrëmbimit të premten e 28 gushtit, biznesmeni është torturuar për rreth 2 ditë. Më pas ai është transportuar drejt Fierit, në zonën e njohur mirë nga autorët, është nxjerrë nga makina, është vrarë e më pas tërhequr pak metra larg, ku trupi i është spërkatur me lëndë djegëse, e tipit napalm. Materialet e bllokuara në fshatin Bishan i janë bashkuar atyre të siguruar të martën, në vendin ku u gjet viktima i masakruar, të cilat po i nënshtrohen analizave në Institutin e Kriminalistikës.                          q.b.m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›