E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ju tregoj polemikën me Kuzhe”

 

Leonard Karaj

E do me çdo çmim Kombëtaren. Aq sa në të vetmin rast kur nuk u grumbullua “kërcënoi” me largim. Por sipas tij më tepër se inati i mosthirrjes në përfaqësuese ka qenë fakti se nuk është sqaruar dhe vetëm pas kësaj është ndjerë sërish kuqezi.  Ndaj danezëve kërkon shpagimin e ndeshjes së parë, për t’u kthyer kështu edhe reston e “thumbimeve” që disa nga futbollistët e Danimarkës i patën bërë pas humbjes 3-0 në Kopenhagen. “Në ndeshjen e parë menduam më shumë për mbrojtjen sesa për sulmin, ndërsa në fushën tonë do të shohin se kush është Besarti i vërtetë”, ka pohuar vëngër Besart Berisha në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Rikthim në Bundesliga, por tani tek një skuadër jo më elitare sikundër ishte Hamburgu....
Zgjodha Arminia Bielefeld sepse mendoj se është klubi më optimal për mua. Është një skuadër që lufton për ngjitjen në Bundesligë dhe besoj se do t’ia arrijë që këtë sezon dhe ku unë mund të gjej formën time më të mirë duke luajtur.
Gjithsesi keni mbetur sërish në pankinë, edhe tek Bielefeldi...   
Kam firmosur për tre vjet me Bielefeldin dhe mendoj se jam mirë tek ajo skuadër. Nuk kam luajtur si titullar ndeshjet e para, pasi trajneri luan përgjithësisht me një sulmues dhe mua më ka konsideruar si sulmues të dytë, shoqërues dhe jo si sulmues qendre. Por gjithsesi kam folur me trajnerin dhe ai më ka sqaruar gjithçka, ndaj jam i qetë se do të kem mundësi jo vetëm të luaj por edhe të jem protagonist.
Pasi nuk u thirrët me Qipron kërcënuat se do të largoheshit nga Kombëtarja, vërtet do t’i jepnit lamtumirën fanellës kuqezi?
Nuk është tamam ashtu. Unë e dua shumë Kombëtaren dhe realisht u ndjeva keq që nuk u thirra në atë takim. Në mendjen time besoja se isha pjesë e kombëtares me shpirt e me zemër dhe se mund të isha pjesë e asaj skuadre. Kjo më bëri që të ndihesha keq për një moment, por më pas u sqarua gjithçka dhe sot ja ku jam sërish kuqezi.
Gjithsesi kemi parë një Berishë në formë në ndeshjet e para me Kombëtaren dhe një tjetër Berishë në vazhdim, si qëndron problemi?
Kjo është çështje besimi. Kur një lojtar ka besimin e trajnerit ai absolutisht që luan shumë më mirë. Por çfarë mund të bësh kur je në fushë në vetëm 10 minutat e fundit të lojës. Nuk arrin as të ambientohesh me terrenin dhe jo më të mund të bësh lojë të mirë dhe të realizosh. Për shembull marrim ndeshjen në Danimarkë, ku mendoj se luajta mirë dhe realizova të gjitha detyrat që më pati dhënë trajneri. Shqipëria luajti një ndeshje defensive në atë takim dhe mua m’u kërkua më shumë që të mbaja topin dhe të lidhja lojën sesa të sulmoja, këtë gjë jam i sigurt se e bëra shumë mirë.
E megjithatë danezët më pas ironizuan me ju duke ju quajtur një sulmues pa shumë vlera pas këtij takimi...
Sigurisht, sepse nuk e patën shansin që të shihnin Besartin e vërtetë. Në atë takim m’u desh që jo vetëm të shikoja për kundërsulme, por edhe të kthehesha shpeshherë deri në mbrojtje pasi në këtë mënyrë e kishim konceptuar atë takim. Këtë herë në fushën tonë do të jemi krejt tjetër. Do të mendojmë për sulmin dhe atëherë do shohim se si do të flasin danezët. E njoh mirë lojën e tyre ashtu sikundër edhe ata më njohin mua, por më mirë të flasim pas ndeshjes jo para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›