Ministri Alibeaj ngre padi kundër KLD
Fatos Mahmutaj
Emërimi i Artan Zenelit në krye të Gjykatës së Tiranës, Enkelejd Alibeaj padit KLD-në. Padia e Ministrit të Drejtësisë kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës dhe pas procedurave të shortit elektronik i është dorëzuar gjykatëses Elona Stavri për ta shqyrtuar atë. Burime nga ky institucion pohojnë se objekti i padisë është shfuqizimi i aktit administrativ të dalë nga mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë mbledhje KLD-ja vendosi të caktonte kryetar të Gjykatës së Tiranës gjyqtarin e sapoemëruar në këtë institucion, Artan Zeneli. Ish-avokati Zeneli u caktua fillimisht gjykatës në kryeqytet më 12 qershor të këtij viti, ndërsa rreth një muaj më vonë më 8 korrik, u emërua kryetar i Gjykatës së Tiranës. Tetë vite më parë Zeneli ishte larguar nga radhët e togave të zeza, ku kishte shërbyer për disa vite me radhë. Pas tetë viteve avokat ai iu rikthye sërish profesionit të gjyqtarit.
Kontestimi
Emërimi i tij në krye të gjykatës më të madhe në vend u kontestua nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, por u votua nga shumica e KLD-së. Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes ministri Alibeaj atëherë pohoi se vendimi ishte i paralajmëruar, ndërsa pak minuta më vonë, reagoi KLD-ja nëpërmjet drejtoreshës për Marrëdhëniet me Publikun, Ana Shkëmbi, e cila pohoi se përzgjedhja e Artan Zenelit ishte bërë në bazë të të gjitha rregullave, pasi ai siguroi shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit. Ajo gjithashtu, për herë të parë në historinë e institucionit të KLD-së, deklaroi votat e anëtarëve dhe krerëve të Këshillit. Kështu, ajo pohoi se Presidenti Bamir Topi kishte votuar për kandidatin Kastriot Selita, ndërsa zëvendëskryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu kishte votuar kryetaren e Shoqatës së Gjyqtarëve Manjola Bejleri. Kandidati tjetër Petrit Çomo ish-nënkryetari i suprimuar i Gjykatës së Tiranës arriti të merrte më pak vota se Zeneli. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk votoi për asnjë kandidat, pasi mbajti qëndrimin se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e kryetarit të Gjykatës. Mbi këtë pretendim ai mbështet kërkesëpadinë e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të KLD-së si akt administrativ i dalë nga institucioni i drejtësisë.
Kërkesë-padia
Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës pohuan dje se pas kryerjes së procedurave të shortit elektronik si dhe regjistrimit dhe ciklimit të kërkesëpadisë së Alibeaj, në këtë institucion, gjatë ditës së sotme pritet që ajo t'i dorëzohet gjykatëses së çështjes Elona Stavri, e cila pas studimit të saj, do të caktojë datën e parë të procesit në ditët në vazhdim. Ende nuk dihet nëse përbën konflikt interesi gjykimi i kësaj padie nga një gjykatëse vartëse e Zenelit pasi burime të gjykatës u shprehën se është kompetencë e gjykatëses së çështjes për të vendosur nëse do vendosë gjykimin e çështjes apo transferimin e saj në një gjykatën e ndonjë rrethi tjetër. Por gjithashtu, pritet edhe dërgimi i dosjes në Gjykatën e Lartë për të zgjidhur çështjen e juridiksionit të kërkesëpadisë. Ministria e Drejtësisë, e ka dërguar në Gjykatën e Tiranës këtë padi me pretendimin, se është kërkuar shfuqizimi i një akti të thjeshtë administrativ.
Gjykatësja në konflikt interesi
Gjykatëses kryeqytetase Elona Stavri do t'i duhet të përballet në shqyrtimin e kërkesë-padisë së Alibeaj kundër KLD për emërimin e Zenelit, me tre institucione me të cilët ka konflikt interesi. Së pari gjykatësja Stavri ka konflikt me KLD-në, pasi ky është institucioni që emëron, promovon, shkarkon dhe jep masa disiplinore për gjykatësit. Së dyti, ministri i Drejtësisë është epror për Inspektoratin, ndërkohë që është edhe autoriteti që mund të vejë në lëvizje, kërkon dhe mbron para KLD-së procedimet disiplinore të gjykatësve. Së treti, gjykatësja kryeqytetase Elona Stavri është në konflikt interesi edhe me vetë kryetarin e institucionit ku ajo punon. Edhe pse, ligji i ri për gjyqësorin, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit të kaluar, ia ka ngushtuar kompetencat kryetarit të Gjykatës, sërish pozicioni i tij në detyrë i jep disa prioritete ndaj gjykatësve të tjerë, si dhe të drejta për të kontrolluar punën e tyre. fa.ma.
Alibeaj braktisi mbledhjen pas humbjes me vota në KLD
TIRANE - Mbledhja e 8 korrikut e KLD-së, në të cilën u zgjodh kryetar i Gjykatës së Tiranës, gjykatësi i sapoemëruar Artan Zeneli, riktheu përplasjet mes ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj nga njëra anë dhe nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu e Presidentit të Republikës Bamir Topi, nga ana tjetër. Gjithçka ka nisur kur anëtarët e KLD-së po përgatiteshin të votonin. Ministri Alibeaj u ka bërë me dije anëtarëve të KLD-së, si dhe kryetarit e nënkryetarit, se kandidati Artan Zeneli nuk i plotësonte kriteret për të qenë pjesë e kësaj gare. Këto pretendime nuk janë pranuar dhe votimi ka nisur, duke përcaktuar në fund Artan Zenelin kandidatin fitues të garës. Menjëherë pas mbledhjes, ministri, në një konferencë të posaçme për shtyp, lëshoi dhe akuzat e para publike, duke pretenduar se e gjithë mbledhja nuk ishte gjë tjetër veçse një farsë dhe se vendimi për caktimin e Zenelit në krye të gjykatës së kryeqytetit ishte i paravendosur. Pa kaluar pak minuta reagoi dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet një konference për shtyp, ku për herë të parë ky institucion publikoi votat e anëtarëve. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë mbledhjes nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, përfundoi procesin e shqyrtimit të kandidaturave për funksionin e drejtuesit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në përfundim të një diskutimi të gjatë dhe me debate juridike, Këshilli, me shumicë votash, vendosi emërimin e Artan Zenelit në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit", njoftoi atëherë zyrtarisht KLD-ja, duke publikuar se vota e kreut të shtetit kishte shkuar për kryetarin e Gjykatës së Dibrës Kastriot Selita, vota e Kreshnik Spahiut kishte shkuar për kryetaren e Shoqatës së Gjyqtarëve Manjola Bejleri, ndërsa dy anëtarë të tjerë votuan ish-nënkryetarin e Gjykatës së Tiranës së Tiranës Petrit Çomo, pjesa tjetër, veç ministrit të Drejtësisë votoi Artan Zenelin. Alibeaj deklaroi pas mbledhjes se kjo përzgjedhje ishte e paramenduar dhe se kandidati Zeneli nuk plotësonte disa nga kriteret për të përfituar këtë post kaq të rëndësishëm. Pas rrëzimit të këtyre pretendimeve në mbledhjen e KLD-së ministri nuk ngurroi t'i bëjë publike në konferencë për shtyp. fa.ma.