Banorët e Temalit: Po shkatërrohen pyjet
SHKODER - Banorët e komunës Temal në Shkodër kërkojnë ndërhyrjen e pushtetarëve më të lartë vendorë për ndalimin e shkatërrimit të mëtejshëm të pyjeve, në malin e Fejzës. Ata kanë reaguar pranë prefektit për të evidentuar në terren situatën e për të parandaluar prerjen pa kriter të drurëve të pyllit. Sipas banorëve të komunës Temal, 500 m larg majës së malit të Fejzës, qarkullojnë me dhjetëra makina të tonazheve të ndryshme të ngarkuar me trupa drurësh ahu. Të vetmet pemë që kanë shpëtuar janë ato në majën e malit, ku mundësitë për të mbërritur aty janë shumë të vogla. Pas shqetësimit të banorëve, prefekti Maxhid Cungu ka mbledhur një grup pune, me pjesëmarrjen e strukturave të ndryshme shtetërore. Ky grup do të shkojë në zonën e rrezikuar e më pas për të vendosur për marrjen e masave konkrete. Sipas banorëve, mjetet që shfrytëzojnë pa kriter pyjet janë kryesisht me targa të Shkodrës, Lezhës dhe të Kosovës. r.d